Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, i cili e ka nënshkruar udhëzuesin për zbatimin e marrëveshjes për energji ka thënë se ka qenë i detyruar ta bëjë një gjë të tillë për shkak se po ta anulonte marrëveshjen Kosova dhe Serbia do të futeshin në ringecoim që do të zgjaste me vite.
Rinegocimi i marrëveshjes, sipas Bislimit, do t’i konvenonte palës serbe, sepse sipas tij do ta vononte një marrëveshje të mundshme gjithëpërfshirëse në mes dy vendeve.
“Në vitin 2022, ke pasë vetëm dy mundësi, të thuash se nuk e njoh marrëveshjen e 2013-të dhe 15-tës, dhe futemi në rinegocim të saj, që do t’i konvenonte palës serbe, sepse ajo ka pranuar të futet në rinegocim marrëveshjen në mënyrë që t’i humbin edhe 10 vite me pikë elemente dhe të shmangemi nga marrëveshja gjithëpërfshirëse, ose opsioni tjetër ta minimizojmë dëmin e marrëveshjeve që i kemi trashëguar, në mënyrë që të hapet rruga për marrëveshjen gjithëpërfshirëse”, ka thënë Bislimi në RTV Dukagjini.
Anulimi i marrëveshjes, sipas Bislimit, mund të bëhej në vitin 2015 dhe jo në vitin 2022.
“Marrëveshjen në 2015 e ka nënshkruar personi i cili ka mundur ta anulojë pa filluar fare implementimin e saj, nga 2015 deri në 2022 janë 7 vite, apo 2 mijë e 300 ditë dhe ka ndryshuar situata në teren”.
Zëvendëskryeministri e ka cilësuar të dëmshme marrëveshjen e arritur dhe, sipas tij, kjo i është bërë e ditur edhe Brukselit.
“Në qoftë se ju mendoni që do të kishte qenë në interes të Kosovës, të merremi edhe me vite me rinegocim të cilën nuk e kontestoj dhe e kemi thënë në Bruksel dhe e dinë edhe ata që është e dëmshme, dhe të largohet fokusi nga marrëveshje gjithëpërfshirëse”.
Besnik Bislimi tha se situata ka ndryshuar dhe jo qëndrimet e kryeministrit Albin Kurti.