Në kuadër të vizitës zyrtare në Strasburg, zëvendëskryeministri për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, ka zhvilluar një takim me zëvendëssekretarin e Këshillit të Evropës, Bjorn Berge.
Berge mirëpriti vendimet dhe qëndrimet e Qeverisë së Kosovës mbi konfliktin në Ukrainë dhe përafrimin e plotë të politikës së jashtme të Kosovës me atë të BE-së.
“U riafirmua rëndësia që bashkëpunimi i Kosovës dhe Këshillit të Evropës të vazhdojë intensivisht si pjesë e Komisionit të Venedikut, Bankës së Këshillit të Evropës, Kuvendit dhe komunave”, thuhet në komunikatën e Zyrës për Media.
Të dyja palët u pajtuan se Evropa duhet të jetë e bashkuar, jo vetëm në çështjen e Ukrainës, por edhe në çështjet e tjera, të cilat ndërlidhen edhe me Ballkanin Perëndimor.
Në takim u diskutua edhe mbi aplikimin e Kosovës për marrjen e statusit të vendit kandidat për integrim në Bashkimin Evropian, ku u theksua se progresi i Kosovës në reformat e rekomandimet e BE-së ka vijuar me rezultate pozitive.
Berge mirëpriti edhe iniciativën e Kosovës për aplikim për anëtarësim në Këshillin e Evropës.