Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka pritur në takim shefen e re të zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Veronika Vashchenko.
Ai i uroi suksese dhe mirëseardhje Vashchenkos në Kosovë, derisa shprehu gatishmërinë për bashkëpunim sa më produktiv dhe efektiv.
Sipas një kumtese nga ana e zyrës së kryeministrit, palët biseduan mbi potencialin zhvillimor të Kosovës dhe rëndësinë e gjithëpërfshirjes dhe shpërndarjes së barabartë të rritjes ekonomike drejt qytetarëve, përcjellë Gazeta Enigma.
Zëvendëskryeministri tha se qeveria po mbështet maksimalisht objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm dhe po angazhohet në hartimin e politikave dhe skemave sa më të targetuara për grupe të ndryshme shoqërore.
“Nga ana e saj, znj. Vashchenko tha se ndihet e lumtur për marrjen e detyrës dhe se tashmë po zhvillon raunde të vizitave me udhëheqës të institucioneve vendore. Ajo e vlerësoi pozitivisht rëndësinë që Qeveria i ka dhënë arsimit në kuadër të Planit të Rritjes dhe shtoi se zyra e UNICEF-it qëndron në përkrahje të plotë dhe e gatshme të asistojë në iniciativat e Qeverisë.
Ai tutje e falënderoi shefen e zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Vashchenkon për bisedën e frytshme dhe idetë e shkëmbyera. /Gazeta Enigma
Bislimi takon shefen e re të zyrës së UNICEF-it në Kosovë, flasin për potencialin zhvillimor të vendit
