Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, priti sot në takim Zëvendësdrejtorin menaxhues për Evropë të Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS) të BE-së, Marko Makovec.
Përgjatë takimit, Bislimi theksoi nevojën për heqjen sa më parë të masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, gjersa ato vijojnë të mbeten të padrejta.
Theksoi dhe domosdoshmërinë e avancimit tutje të vendit tonë në rrugëtimin drejt integrimit evropian, veçanërisht trajtimit të aplikimit tonë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ku mbetemi i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor ende pa statusin e vendit kandidat, përkundër ecurisë pozitive dhe shënimit të progresit, jo vetëm në zbatimin e reformave, por edhe performancës së lartë në fusha kyçe si, ekonomia, sundimi i ligjit, luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit, të drejtat e njeriut e liria e mediave.
U trajtuan dhe zhvillimet e fundit në vend e rajon, fuqizimi i bashkëpunimit rajonal, vizioni i Planit të Rritjes si instrument që duhet të ndihmojë në konvergjencën mes shteteve të rajonit, por edhe atë me BE-në dhe perspektiva e zhvillimit dhe prosperitetit në shtetin tonë.
Duke e falënderuar për bashkëpunimin e vazhdueshëm, Bislimi shprehu vlerësimin për bisedat përherë të frytshme dhe i uroi Makovecit vizitë produktive në Kosovë.