Blinken: ShBA-ja do ta ndihmojë Ukrainën me një paketë të re në vlerë të 200 milionë dollarëve

Blinken: ShBA-ja do ta ndihmojë Ukrainën me një paketë të re në vlerë të 200 milionë dollarëve

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të ofrojnë një paketë të re ndihme për Ukrainën me vlerë të 200 milionë dollarëve, ka njoftuar në një deklaratë të hënën Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken.

Paketa përfshin municione për sistemet e mbrojtjes ajrore Patriot, fishekë artilerie, armë të blinduara, pajisje për pastrimin e minave, municione shtesë për sistemet raketore të artilerisë së lartë të lëvizshmërisë (Himars) si dhe municione për largimin e pengesave.

Blinken tha se derisa Rusia t’i japë fund luftës që filloi, duke tërhequr forcat e saj nga Ukraina dhe duke ndaluar sulmet e saj brutale, ShBA-ja dhe aleatët e saj do të qëndrojnë të bashkuar me Ukrainën, “për aq kohë sa duhet”.

Departamenti Amerikan i Mbrojtjes tha se paketa ishte kësti i 44-të i pajisjeve që do t’i jepej Ukrainës gjatë dy viteve të fundit. Që nga shkurti i vitit 2022, SHBA-ja ka investuar më shumë se 43 miliardë dollarë në ndihmën e sigurisë për Ukrainën, shkruan BBC.

Related Articles