Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi në një konferencë për media ka thënë se është hera e parë në historinë parlamentare të Kosovës që pushteti i shumicës e shkel brutalisht të drejtën e pakontestueshme për hetim parlamentar si një e drejtë Kushtetuese dhe ligjore.
“Kryeministri Kurti përmes deputetëve të LVV për herë dytë sot e bllokoj formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me krizën energjetike në vend duke shkelur hapur ligjin dhe Kushtetutën që tashmë janë bërë traditë e kësaj qeverie. Edhe përkundër insistimit të pushtetit për ta mbajtur të fshehtë krejt atë që ka ndodhur për muaj të tërë sot u themi se arroganca e numrave të pushtetit nuk do të mund ta mbajë të fshehur të vërtetën që do të dal në dritë”, ka thënë Krasniqi.
Ndër të tjera, Krasniqi ka shtuar se Qeveria Kurti është duke bërë çdo përpjekje për të pamundësuar hetimin parlamentar që e kanë kërkuar si PDK së bashku me partitë tjera opozitare.
“Çka janë duke fshehur nga opinioni që me kaq bindje po e shkelin ligjin e Kushtetutën? Çfarë shkeljesh e krimesh potenciale janë duke mbrojtur me këtë insistim kundër hetimit parlamentar? Një gjë duhet të jetë e qartë kjo nuk është përpjekje me fsheh të vërtetën, por precedent i rrezikshëm ndaj demokracisë dhe sundimit të ligjit në vendin tonë”, tha Krasniqi.
I pari i PDK-së tha se mazhoranca ka rrënuar çdo parim që kanë pasur si LVV, por ata si PDK nuk do të lejojnë që të rrënojnë parimet e demokracisë dhe sundimit të ligjit në vendin tonë.
“Pushteti i Albin Kurtit mund ta vonojë këtë proces, por nuk mund ta ndalojnë. Ky hetim do të ndodh dhe veprat penale potenciale që kanë mundur të ndodhin që janë subjekt i kërkesës për hetim parlamentar, jo vetëm që do ti heshtim por do të përdorim çdo mjet demokratik e ligjor për ta nxjerrë të vërtetën në shesh dhe për ti dërguar të gjithë përgjegjësit aty ku e kanë vendin”, tha Krasniqi.
Ai ka shtuar se nuk e kupton se cila është frika e kësaj Qeverie që me zell po dëshiron të pengojë këtë hetim parlamentar, duke theksuar se mos ndoshta janë të përfshirë vetë.