“Kur u ktheva në Kosovë, gabova që nuk erdha aty ku shkëlqeva si futbollist”, tashmë i rikthyer te FC Llapi.
Festim Alidema, është kthyer sërish në Llap, tek skuadra e cila kishte qenë edhe vite me herët. 23 vjeçari ka vendosur të jetë sërish në skuadrën llapjane, ku vite me parë kishte shkëlqyer, pasi në 46 ndeshje kishte shënuar 12 gola dhe 7 asistime.
Por, ai tani kishte kaluar në skuadrën kroate Slaven Belupo, e me pas u huazua të skuadra e Dritës dhe tani ai në përfundim vendosi sërish të jetë pjesë e Llapit. Anësori me skuadrën nga Podujeva ka firmosur një kontratë, ku atë e mbanë tek ky ekip për dy vite me mundësi vazhdimi.
Megjithatë, futbollisti siç duket kishte një “thumb” për skuadrën e Dritës, pasi në deklaratën e tij ka theksuar se kur u rikthye në Kosovë, e ka cilësuar si gabim zgjedhjen e skuadrës, e që sipas tij ishte dashur të jetë sërish Llapi.
“Gabimi më i madh i imi pas rikthimit në Kosovë është që nuk iu riktheva skuadrës ku kisha shkëlqimin si futbollist. Tashmë u riktheva aty ku pata besimin dhe përkrahjen e gjithë qytetit, kryesisë, shtabit teknik e në veçanti trajnerit Tahir Batatina. Po rikthehem në shtëpin time të dytë tek qyteti dhe tifozët ‘Legjendat’ që më kanë përkrahur në vazhdimësi. Besimin e kryesisë dhe klubit u garantoj se do t’ua shpërblej me angazhim maksimal. Me këtë organizim të shkëlqyeshëm të klubit dhe me këto kushte të mira të punës besoj që suksesi i ekipit nuk do të mungoj”, tha Alidema për faqen zyrtare te Llapi.