Borrell: Do të vazhdojmë të sigurojmë stabilitet në veri të Kosovës

Borrell: Do të vazhdojmë të sigurojmë stabilitet në veri të Kosovës

Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka thënë se në bashkëpunim mes KFOR-it dhe EULEX-it do të vazhdojnë të sigurojnë stabilitet në veri të Kosovës në kohën kur ajo pjesë po “përballet me momente të vështira”.

Pas takimit me ministrat e jashtëm të NATO-s të martën, Borrell ka deklaruar se anëtarët e Bashkimit Evropian janë të angazhuar për paqe në Ballkanin Perëndimor.

“Në këtë sesion ne folëm për Ballkanin Perëndimor. Ju e dini se sa i rëndësishëm është Ballkani Perëndimor për Bashkimin Evropian, shumë anëtarë të bllokut janë të angazhuar për stabilitet në këtë rajon dhe shumë shtete të këtij rajoni janë kandidate. Stabiliteti i tyre, prosperiteti dhe përshtatja me politikën e jashtme është shumë e rëndësishme për ne. Më lejoni të theksoj rëndësinë e bashkëpunimit mes BE-së dhe NATO-s në veri të Kosovës. Misioni ynë i EULEX-it është i pozicionuar dhe ka një bashkëpunim të fortë me KFOR-in dhe po përballen me momente të vështira. Ne do të vazhdojmë të sigurojmë stabilitet dhe siguri në këtë pjesë të Kosovës dhe në kufirin me Serbinë”, ka thënë Borrell para gazetarët.

Kryediplomati i BE-së ka thënë se EULEX-i ndër vite ka luajtur rol të rëndësishëm për paqen në Kosovë, “dhe do të vazhdojë ta bëjë”.

“I bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të rrisin vullnetin për marrëveshje për rrugën e tyre evropiane”, ka shtuar Borrell.

Related Articles