Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, ka thënë se me arritjen e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë për dokumentet, është evituar një krizë e mundshme.
“Kemi punuar në modalitetin e parandalimit të krizës. Kemi parandaluar një krizë që do mund të shpërthente mbase më 1 shtator, nëse nuk do arrihej marrëveshja për kalim të kufirit nga serbët dhe kosovarët. Ky është një lajm shumë i mirë”, ka thënë Borrell në një intervistë për televizionin austriak ORF.
Tutje Borrell u shpreh i bindur se edhe çështja e targave do zgjidhet.
“Problemi i targave është ende në pritje të zgjidhjes, por mendoj se do mund ta zgjidhim”.
“Në fakt kemi një mandat nga OKB për të zgjidhur problemin mes Kosovës dhe Serbisë, dhe kemi një rol të rëndësishëm për të sjellë stabilitet në rajon”, shtoi kryediplomati evropian.