Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, në një prononcim për media para fillimit të samitit dyditor të udhëheqësve të BE-së, foli edhe për Kosovën e Serbinë.
Ai tha se kjo është një çështje e rëndësishme, derisa tha se do të kërkojë nga shtetet anëtare që t’u bëhet presion palëve për të shtensionuar situatën.
“Do t’i njoftoj liderët për gjithë punën e këtyre ditëve dhe do të kërkoj mbështetjen e tyre për të vazhduar me presion ndaj tyre për të shmangur deeskalimin dhe për t’u kthyer në normalitet. Shtetet anëtare kanë vendosur që masat duhet të ndërmerren, ekonomikisht dhe politikisht për t’ua bërë të qartë se nëse nuk kontribuojnë për shtensionim vjen me një kosto”.
Në pikën e fundit të agjendës së këtij samiti dyditor është e paraparë që të diskutohet edhe “zhvillimet e fundit në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë gjendjen e dialogut Beograd-Prishtinë”.
Bashkimi Evropian gjatë kësaj jave ka paralajmëruar se do të komunikojë masat ndëshkuese ndaj Kosovës, të cilat blloku i ka përgatitur për shkak të mosndërmarrjes së hapave që janë kërkuar për të ulur tensionet në veri të shtetit, tha drejtori i përgjithshëm për zgjerim i Komisionit Europian, Jan Koopman.