BQK me vendim për uljen e përkohshme të policës kufitare

BQK me vendim për uljen e përkohshme të policës kufitare

Banka Qendrore e Kosovës ka marrë vendim për uljen e përkohshme të policës kufitare.

 Në njoftimin e BQK-së bëhet e ditur se vendimi është marrë nga Bordi Ekzekutiv i BQK-së.

“Bordi Ekzekutiv i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës në mbledhjen e mbajtur me 24 qershor 2021 ka marrë vendim për uljen e përkohshme të sigurimit kufitar të autopërgjegjësisë. Ky vendim i marrë nga menaxhmenti i BQK-së ka ardhur pas shqyrtimit të raportit aktuarial të datës 22 qershor 2021 të Byrosë Kosovare të Sigurimit mbi adekuatshmërinë e tarifave të sigurimit kufitar nga autopërgjegjësia, dhe është vlerësuar se ekziston bazë e mjaftueshme për ndryshimin e tarifave të primeve të sigurimit kufitar të autopërgjegjësisë për automjete dhe motoçikleta për udhëtarë”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, BQK ka kërkuar nga Byroja Kosovare e Sigurimeve që në emër të anëtarëve të saj, të ulë përkohësisht tarifat e sigurimit kufitar për automjetet dhe motoçikletat, për 35 për qind.

“Me anë të këtij vendimi Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, kërkon nga Byroja Kosovare e Sigurimeve që në emër të anëtarëve të saj, siguruesve të licencuar për sigurimin e detyrueshëm nga autopërgjegjësia, të ulë përkohësisht tarifat e sigurimit kufitar të autopërgjegjësisë për grupet tarifore të autoveturave dhe motoçikletave për 35 për qind. Po ashtu me anë të këtij vendimi kërkohet që aplikimi i tarifave të reja të policave kufitare të zbatohet nga data 1 korrik 2021 deri më 31 dhjetor 2021”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës, e drejtuar nga kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në prag të fillimit të pushimeve verore, ka marrë vendim që t’ua paguajë mërgimtarëve shpenzimet për policën e sigurimit.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, deklaroi në mbledhje se qeveria do ta marrë përsipër pagesën e policës nga 1 korriku.

“Shqyrtimi i Propozim-Vendimit për mbulimin e plotë të obligimeve të sigurimit kufitar nga qeveria e Kosovës për të gjithë bashkatdhetarët dhe të huajt që janë subjekt i policës kufitare që vijnë në Kosovë deri në fund të vitit 2021. Ky vendim na hap rrugën që Ministria e Financave dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme që të lidhim një memorandum me BQK-në dhe Byronë Kosovare të Sigurimit e marrim përsipër si qeveri mbulimin e kostos së policës kufitare të cilës i nënshtrohen bashkatdhetarët. Mbulimi do të fillojë prej datës 1 korrik”, tha Murati.

Ai tha se kjo është një zgjidhje e përkohshme, derisa premtoi se do të angazhohen që ky problem të zgjidhet një herë e përgjithmonë.

“Kjo është një zgjidhje e përkohshme, por ne do të angazhohemi që ky problem të zgjidhet një herë e përgjithmonë dhe të mos kemi nevojë që të bëhet ky mbulim”, tha Murati.

Related Articles