Shifrat e fundit në Mbretërinë e Bashkuar tregojnë se numri i infeksioneve ditore është rritur mbi 9 mijë, e kjo ndodhi për herë të parë që nga muaji shkurt, raporton Gazeta Enigma.
Në 24 orët e fundit u shënuan edhe nëntë mijë e 55 raste të reja me COVID-19, si dhe brenda 28 ditëve vdiqën nëntë persona duke arritur kështu në 127 mijë e 926 numri i përgjithshëm i viktimave të këtij virusi.
Dr.Susan Hopkins nga Shëndeti Publik i Anglisë tha se rreth shtatë mijë deri në tetë mijë infeksione po zbuloheshin në ditë, por numri i vërtetë besohet të jetë dukshëm më i lartë, shkruan Mirror, transmeton Gazeta Enigma.
Ajo u tha deputetëve se po monitoronte 25 variante të virusit dhe po hetonte tetë lloje të tij, derisa ekspertët po luftojnë për parandalimin e zhvillimeve të reja të koronavirusit.
“Vlerësimi për infeksionet aktuale është mes 15 dhe 25 mijë raste të reja”, tha ndër të tjera ajo.
Hopkins gjithashtu shtoi se variant Delta i COVID-it i zbuluar për herë të parë në Indi, është 66 përqind më i transmetueshëm sesa lloj i parë i tij i cili përshkoi Britaninë e Madhe gjatë stinës së dimrit./Gazeta Enigma/