ekretarja e Jashtme britanike, Liz Truss, ka thënë të mërkurën se Mbretëria e Bashkuar do të furnizojë Ukrainën me sisteme të mbrojtjes ajrore.
Në një konferencë të përbashkët me homologun e saj amerikan, Sekretarin e Shtetit, Antony Blinken, ajo tha se një ndër mënyrat më të mira për të ndihmuar është përmes armatimit kundërajror.
“Mënyra më e mirë për të ndihmuar në mbrojtjen e qiejve është përmes armatimit kundërajror, të cilin Britania e Madhe tani do t’i furnizojë Ukrainës”, ka thënë Truss, raporton CNN.
Ajo ka shtuar se Mbretëria e Bashkuar nuk po kërkon të krijojë një zonë ndalim-fluturimi mbi korridoret e evakuimit në Ukrainë pasi kjo do të çonte në një konfrontim të drejtpërdrejtë midis NATO-s dhe Rusisë.
Truss ka theksuar se MB-ja do të donte të shihte një ndalim të plotë ndaj Rusisë nga sistemi i pagesave SWIFT dhe të gjitha vendet e G7-ës që t’i jepnin fund përdorimit të naftës dhe gazit rus.
“Ne duhet të shkojmë më tej dhe më shpejt në përgjigjen tonë. Ne duhet të dyfishojmë sanksionet tona”, është shprehur ajo. “Ne e kemi befasuar Putinin me unitetin tonë dhe ashpërsinë e sanksioneve tona, duke goditur bankat, anijet, aeroplanët, oligarkët dhe të ardhurat nga nafta dhe gazi. Dhe populli i guximshëm ukrainas e ka befasuar atë me vendosmërinë dhe lidershipin e tij”, ka përfunduar ajo.