Mbretëria e Bashkuar regjistroi shifër rekorde prej 189.213 rastesh me COVID të enjten. Përpos infektimeve, për 24 orë u regjistruan edhe 332 viktima.
Rekordi i ri erdhi vetëm një ditë pas rekordit tjetër të mërkurën me 183.037 raste. Besohet se kjo rritje po shkaktohet nga përhapja e variantit të ri e shumë ngjitës të koronavirusit, Omicron.
Përderisa qeveria ka thënë se Omicroni mund të jetë më i butë, ai është gjithashtu më ngjitës dhe rritja e numrit të rasteve ka shkaktuar pengesa të shumta. Kompanitë e trenave i kanë anuluar shërbimet për shkak të mungesës së stafit, ndërsa disa ndeshje të futbollit në Premier League janë anuluar.
Të dhënat tjera treguan se edhe numri i pacientëve me Covid-19 në Angli është rritur në 11.452. Kjo shifër është rritur për më shumë se 4.000 persona në javën e fundit, shkruan Reuters.
Pavarësisht rritjes së numrit të rasteve, Kryeministri Boris Johnson ka thënë se nuk do të sjellë masa të reja kufizuese këtë vit në Angli për ta kufizuar përhapjen e variantit Omicron, që tani përbën 90 për qind të të gjitha infeksioneve në komunitet, sipas zyrtarëve shëndetësorë.