Një 19-vjeçare nga Peja ka rrëfyer për emisionin “Kiks Kosova” pretendimet e saj për ngacmim seksual nga burri i tezes, i cili në atë kohë ishte zyrtar policor në rajonin e Pejës. Sipas saj, ngacmimet kishin nisur kur ajo ishte ende e mitur dhe kishin vazhduar për rreth dy vite.
E reja pretendon se ish-polici i dërgonte vazhdimisht mesazhe dhe i drejtohej me fjalë si “zemër” dhe “të dua”, ndërsa në disa raste i kishte kërkuar edhe takime jashtë qytetit të Pejës. Për të dokumentuar rastin, ajo kishte vendosur ta incizonte fshehtas.
Në videot e realizuara dëgjohet i dyshuari duke insistuar për takim dhe duke i thënë se ajo tash e dy vite po ia shtynte daljen bashkë. Viktima pretendon se ai e përcillte vazhdimisht dhe e dinte orarin e lëvizjeve të saj, përfshirë rrugën për në shkollë.
Si prova në Prokurorinë Themelore në Pejë janë dorëzuar edhe mesazhe komunikimi në rrjetin social Viber, ndërsa Prokuroria kishte ngritur aktakuzë ndaj ish-zyrtarit policor për veprën penale “Ngacmim seksual”.
Megjithatë, Gjykata Themelore në Pejë e ka liruar nga akuza të dyshuarin, duke e shpallur të pafajshëm. Prokuroria ka paralajmëruar se do ta apelojë vendimin në Gjykatën e Apelit, duke vlerësuar se gjatë hetimeve janë siguruar prova të mjaftueshme që mbështesin dyshimin për fajësinë e tij.
Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, deklaroi se i dyshuari ishte arrestuar gjatë fazës fillestare të hetimeve dhe ndaj tij ishte kërkuar paraburgim. Ai shtoi se Prokuroria, si gjatë hetimeve ashtu edhe në procedurën gjyqësore, ka kërkuar dënimin e ish-policit duke u bazuar në provat e administruara.
Në dosjen e Prokurorisë përfshihet edhe dëshmia e një shoqeje të viktimës, e cila kishte deklaruar se e kishte parë disa herë të dyshuarin duke e përcjellë 19-vjeçaren pranë shkollës. Sipas saj, viktima kishte hezituar ta raportonte rastin për shkak të lidhjeve familjare me të dyshuarin.
