Pa institucione plotësisht funksionale, me Qeveri dhe ministra në detyrë, Kosova po përballet pothuajse që një vit, shkruan Gazeta Enigma.
E kjo situatë nuk po kalon pa pasoja, të cilat pritet të ndihen edhe më shumë nga muaji mars, kur punëtorët e sektorit publik mund të mbesin pa paga.
Në vitin 2025, vendi ka shkuar dy herë në zgjedhje qendrore: më 9 shkurt janë mbajtur zgjedhjet e rregullta dhe më pas, më 28 dhjetor, janë mbajtur zgjedhjet e jashtëzakonshme.
Por tani jemi në vitin 2026, në muajin shkurt, dhe ende nuk kanë përfunduar procedurat zgjedhore, pasi u zbulua skandali me vjedhjen e votave, gjë që po e zvarrit procesin edhe më tej, shkruan Gazeta Enigma.
Nëse bllokada vazhdon dhe deri në mars nuk formohet Qeveria e re që ta miratojë buxhetin për këtë vit, atëherë vendi nuk do të ketë buxhet dhe, në këtë rast, i gjithë sistemi publik do të pësojë kolaps financiar.
“Nëse buxheti i ri nuk miratohet me kohë, Kosova do të hyjë në një zonë të rrezikshme”
Njohësi i çështjeve politike, Arton Muhaxheri, paralajmëron se pa buxhet të miratuar, shteti do të paralizohet.
“Nëse buxheti i ri nuk miratohet me kohë, Kosova mund të funksionojë me buxhetin e vitit paraprak vetëm përkohësisht dhe praktikisht vetëm deri në mars. Pas kësaj periudhe, hapësira ligjore dhe financiare ngushtohet ndjeshëm”, tha ai.
“Kjo do të thotë se shteti hyn në një zonë të rrezikshme, ku pagesat, kontratat dhe funksionimi normal i institucioneve nuk janë më të garantuara”, shtoi ai.
Në rast se vonesa në formimin e Qeverisë shoqërohet me mosmiratimin e buxhetit, rreziku, sipas analistit, nuk është teorik, por real.
“Pa buxhet të miratuar, shteti paralizohet: ndalen investimet publike, bllokohen projektet kapitale, krijohen vonesa në pagesa dhe humbet besueshmëria ndaj partnerëve financiarë dhe investitorëve. Ky është një mekanizëm klasik i degradimit institucional”, deklaroi Muhaxheri për Enigmën.
Muhaxheri thotë se Kosova pritet të përballet me kolaps funksional të shtetit nëse nuk dilet nga situata aktuale.
“Prandaj, nëse kjo situatë vazhdon, Kosova mund të përballet me kolaps funksional të shtetit – jo domosdoshmërisht me falimentim brenda natës, por me një shpërbërje graduale të kapaciteteve shtetërore. Kriza politike e zgjatur, e kombinuar me mungesën e buxhetit, është një recetë e qartë për destabilizim ekonomik dhe institucional. Kjo nuk është më çështje debati politik, por përgjegjësi shtetërore”, përfundoi Muhaxheri për Enigmën.
LEXO EDHE:
