Ekspertët e sigurisë e kanë mirëpritur vendimin e qeverisë për ndarjen e mbi 100 milionë eurove për Forcën e Sigurisë së Kosovës, por sipas tyre duhet ende të ketë rritje të buxhetit për t’i plotësuar nevojat e Ushtrisë.
Nuridin Ibishi, ekspert i sigurisë në një intervistë për Ekonomia Online tha se është mirë që qeveria e re e ka marrë më seriozisht këtë çështje, për të kontribuar në ngritjen e kapacitetet të saja.
“Qeveria e re në kornizën buxhetore 2022-2024 parasheh edhe rritjen buxhetore të FSK-së për 100 milionë euro që është inkurajuese, pasi që jemi në fazën e tretë të pandemisë e cila ka një rënie dhe është një investim kapital për FSK-në në një fazë të tranzicionit, dhe unë shpresoj që qeveria e re e ka marrë shumë më seriozisht se qeveritë e mëparshme këtë çështje të sektorit të sigurisë, duke shpresuar që të arrijë kapacitetet e saj pas disa viteve aty ku duhet”, tha Ibishi.
Më tej ai theksoi se mundësitë e krahasimit me vendet e tjera të rajonit sa i përket armatimit janë larg, por që ky buxhet i parashikuar është pozitiv dhe do ndihmojë në rritjen e furnizimit ushtarak.
Tutje Ibishi thotë se është shumë e rëndësishme që të merret parasysh edhe pjesa e aviacionit luftarak dhe pjesë tjera të rëndësishme për FSK-në, dhe që lidhen direkt me sigurinë tonë në vend.
Në anën tjetër, Ish-komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Kadri Kastrati, thotë se prioritet kryesor i çdo qeverie do duhej të ishte mbrojtja dhe siguria për të pasur kapacitetet e përmbushjes së misionit të tyre.
Më tej ai thekson se pavarësisht lajmit të mirë të këtij buxheti, qeveria do duhej të ndante buxhet më të madh duke e pasur parasysh shpenzimet dhe rritjen e kapaciteteve për FSK-në.
“Ushtria e Kosovës sipas ligjeve do t’i ketë pesë mijë pjesëtarë aktiv dhe tre mijë rezervë, dhe nëse marrim që ushtria vitin e ardhshëm do t’i rrit për një mijë persona kapacitetet e veta njerëzore atëherë vetëm në paga e uniforma, armë personale dhe shpenzime tjera do t’i harxhon këto para shtesë sa janë të parapara. Qeveria do duhej shumë më shumë të ndante mjete financiare sepse ne jemi në fazën e ngritjes së kapaciteteve, ne çdo gjë për me arrit këto kapacitete Kosova do duhej që t’i blejë për herë të parë siç janë armatimet dhe pajisjet e sofistikuara”, tha ai.
Ai përmend faktin se me këtë buxhet është e pamundur me u arrit nevojat që i ka Ushtria e Kosovës.
Korniza Afatmesme e Shpenzimeve 2022-2024 e miratuar në mbledhjen e 10-të të Qeverisë parasheh që, duke filluar nga viti i ardhshëm, buxheti vjetor i Ministrisë së Mbrojtjes për herë të parë të jetë mbi 100 milionë euro.