Caktimi i koeficientit të ri u bë “paushall”, kundërshtohet nga opozita dhe sindikatat

Caktimi i koeficientit të ri u bë “paushall”, kundërshtohet nga opozita dhe sindikatat

Caktimi i vlerës së koeficientit të ri, sipas opozitës është bërë në mënyrë paushalle. Përveç opozitës, edhe përfaqësuesit e sindikatave e kanë kundërshtuar këtë vendim.

LEXO EDHE: Ekzekutivi e cakton koeficientin, u zbritën apo u ngritën pagat e sektorit publik?

Në SBASHK thanë se, me gjithë që koeficienti nuk i përmbush pritjet e mësimdhënësve, nuk do ta dërgojnë Ligjin për Paga në Gjykatë Kushtetuese. Por atakimin e tij në instancën më të lartë gjyqësore e paralajmëruan në Këshillin Prokurorial.

“Ky rangim ka bërë që vlera e koeficientit prej 105 eurosh të mos i plotësojë pritjet tona, por ajo mundëson që mbi 90 për qind e anëtarësisë tonë të kenë një rritje page mesatare rreth 100 euro”, thuhet në reagimin e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës.

Për vlerën e koeficientit të ndarë nga Qeveria, ka reaguar edhe kreu i Sindikatës së Policisë, Imer Zeqiri. Ky i fundit tha se kjo është e papranueshme.

Sipas tij, Sindikata e Policisë nuk do ta pranojë vlerën e këtij koeficienti.

“Në asnjë mënyrë nuk pranohet kjo sidomos nga Sindikata e Policisë, kjo është e papranueshme. Ne do të konsultohemi me kryesinë dhe do të reagojmë, nuk e pranojmë asesi këtë”, u shpreh Zeqiri.

Krahas asaj të arsimit dhe policisë reagime mbi koeficientin pati edhe në sindikata të tjera.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) ka reaguar ndaj vendimit të Qeverisë për caktimin e koeficientit të pagave në sektorin publik, por nuk ka specifikuar nëse e kundërshton apo e pranon vendimi e ekzekutivit.

Në një komunikatë për medie lëshuar nga kryetari i këtij organizimi sindikal Atdhe Hykolli, thuhet se BSPK qëndrimin për koeficientin do ta marrin pas takimit me federatat sindikale.

“Publikimin e vlerës monetare të koeficientit të pagave në sektorin publik e shfrytëzuan individët, siç bëri edhe Ali Gashi [sindikalist i Administratës Publike], i cili foli në emër të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës duke u munduar të qojë përpara agjendat e veta personale, gjë që është tejet e papranueshme në organizimin sindikal të vendeve demokratike” thuhet në reagimin e Hykollit.

Përveç sindikatave, reagime të shumta pati edhe nga partitë politike opozitare, derisa kryetari i Partisë Demokratike e Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë se sot, përmes zbulimit të koeficientit të pagave në vlerë prej 105 eurove, Qeveria e Kosovës dhe kryeministri Albin Kurti i kanë dhënë edhe një goditje tjetër, këtë herë afatgjate, të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës që punojnë në sektorin publik.

Tutje, i pari i PDK-së vlerëson se kjo qeveri dhe ky kryeministër janë në gjendje të mashtrojnë edhe publikisht në lidhje me pagat, përqindjet dhe rritjet që janë bërë.

“Ajo që po proklamohet si rritje, në fakt është manipulim dhe lojë fjalësh. Ku thirren në rritje, nuk ka kujdestari, shujta, mëditje, bonuse dhe ka mashtrime të krahasimeve bruto dhe neto. Ku nuk ka rritje, ka zbritje të ndjeshme dhe degradim të profesioneve e pozitave të rëndësishme të shtetit”.

“Para se gjithash, ky vendim i Qeverisë, cenon mirëqenien e qytetarëve të Kosovës, atyre që me punën e tyre të dinjitetshme dhe të palodhshme mbajnë gjallë dhe në këmbë funksionimin e shtetit tonë”.

“Të gjithë, pa përjashtim, kanë merituar më shumë se sa kjo Qeveri u ka ofruar. Ky vendim, në krahasim me krizën ekonomike dhe inflacionin e madh, nuk u plotëson as për së afërmi nevojat dhe kërkesat e qytetarëve”.

Sipas tij, ky vendim është thirrje për rritje të numrit të atyre qytetarëve që dëshirojnë të largohen nga vendi dhe, rrjedhimisht, përcaktim për dëmtimin e ekonomisë dhe funksionalitetit të shtetit tonë.

Ndërsa, përveç kundërshtimit, Lidhja Demokratike e Kosovës ka propozuar një koeficient të ri. Abdixhiku tha se propozimi i LDK-së ëshë koeficienti 125, e që sipas tij zgjidhja është e qartë.

Ai theksoi se propozimi i LDK-së është i qartë sepse merr për bazë inflacionin rekord që kemi patur në vend.

Mes tjerash, Abdixhiku theksoi se ky propozim është i denjë sepse krijon paga të dinjitetshëm si asnjëherë më parë.

“Propozimi ynë është i drejtë sepse merr për bazë inflacionin rekord që e kemi patur në vend. Propozimi ynë është i mundshëm sepse merr 120 milionë shtesë, shumë më pak se që ka shpenzuar Qeveria në pako që nuk kanë lënë as edhe një shenjë”.

“Propozimi ynë është i qëndrueshëm sepse pagat si proporcion buxhetor i mbanë nën 27%. Propozimi ynë është i denjë sepse krijon paga të dinjitetshme si asnjëherë më parë në vend”.

Vlen të theksohet, se ajo çfarë ishte më e çuditshmja ishte reagimi i ministries së Ministrisë së Arsimit, Arbërie Nagavci. Kjo e fundit ia kishte bërë “like” postimin e Abdixhikut, i cili e kishte kundërshtuar vlerën e koeficientit.

Mirëpo, sa i përket këtyre kundërshtimeve, e menjëhershme ishte edhe kudnërpërgjigja e ministrit të Financave, Hekuran Murati.

Ai ka thënë se kjo vlerë është përllogaritur me detaje dhe se nuk bëhet fjalë për hamendësime.

Murati i ka quajtur propozime paushalle ato të opozitës.

“Çka ka qenë e radhës që kjo të përpjesëtohet me buxhetin e alokuar për pagat në mënyrë që të nxirret vlera për një koeficient, është vlerë e llogaritur dhe nuk ka as hamendësim as paushallitet. Ata që flasin për shifra 120 herë 125 e 139 e 132 ata flasin për shifra paushallë pa e ditë për ndikimin buxhetor”, ka thënë ai.

Murati ka dhënë detaje për llogaritjet e Qeverisë së Kosovës për ta vendosur vlerën e koeficientit 105 euro.

“Bëhet fjalë për përcaktimin e vlerës së koeficientit që i ngërthen dy ligje ligjin e buxhetit dhe ligjin e pagave. Ligji i Pagave ka kaluar që dy muaj, aty janë përcaktuar nivelet për secilin pozitë sa është niveli i koeficienteve për secilën pozitë, dikujt i është caktuar 5 dikujt 6 e kështu me radhë”, ka thënë ai.

“Çka na ka mbetur neve është që të marrin nga të gjitha organizatat buxhetore këtë e ka bërë MPB, ka kërkuar klasifikimin e të gjitha pozitave, qoftë komunat qoftë ministritë kanë dorëzuar listat për të tregu sa persona kanë funksion me koeficiente ta zëmë 6 a po 7  e kështu”, ka vijuar Murati.

LEXO EDHE: Murati – Krasniqit e Abdixhikut: Nuk ka hamendësime as paushallitet në përcaktimin e koeficientit

Nga ata që akuzuan Qeverinë Kurti dhe që e kundërshtuan një vendim të tillë, ishte edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.

Ai vlerësoi se nuk kemi asnjë rritje, përveç ndërhyrjeve e flakareshave për institucionet e pavarura, si drejtësia e degradimeve për sektorët vitalë si arsimin, shëndetësinë, policinë e shërbimin civil.

“U deshën dy vjet përplasje, fyerje e nënçmime të sindikatave, por edhe administratës shtetërore për të sjellë një Ligj që akomodon vetëm nivelin politik. Asnjë e re, asnjë rritje, përveç ndërhyrjeve e flakareshave për institucionet e pavarura, si drejtësia, e degradimeve për sektorët vitalë si arsimin, shëndetësinë, policinë e shërbimin civil”.

“Për asgjë më tepër, vetëm reflektimi i normës së inflacionit në shportën bazike po të reflektohej, vlera prej 129 euro e koeficientit do të ishte ajo më minimalja. E, mos të përllogarisim inflacionin ndër vite, prej rritjes së fundit të pagave. Kjo ishte arsyeja e kërkesës sonë që vlera e koeficientit të jetë në këtë shumë.”, shkroi Tahiri .

Ndryshe, Ligji për Pagat në Sektorin Publik është hedhur në votim dhe miratuar nga deputetët pa e ditur vlerën e koeficientit, e madje edhe është dekretuar si i tillë nga Presidentja. /Gazeta Enigma/.

Related Articles