Në Mitrovicën e Veriut është duke u zhvilluar protesta e thirrur nga Lista Serbe.
Në këtë protestë janë mbledhur më shumë se 3 mijë gra.
Në fillim të kolonës është vendosur një flamur i madh serb me mbishkrimin: “Nënat e Kosovës kundër getos së Kurtit”.
Përkundër motit të ligë që po mbretëron sot në gjithë Kosovën, një numër i madh i grave janë mbledhur në Mitrovicën e Veriut që nga ora 15:00, kur edhe nisi një marshi i këtyre protestuesve.
Kjo protestë e thirrur dje nga Lista Serbe, u përkrah sot edhe nga serbët në Shtërpce dhe në Graçanicë.
Të njëjtit janë mbledhur në qendrat e këtyre dy vendbanimeve, ku kanë zhvilluar protestën e paralajmëruar dje.
Ndryshe Lista Serbe bënë të ditur se kjo protestë po zhvillohet kundër zhvillimeve të fundit, saktësisht kundër vendimeve të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në kuadër të targave.
Gjatë javëve të fundit në Kosovë pati zhvillime të shumta, pikërisht në kuadër të çështjes së targave dhe kërkesës së Qeverisë së Kosovës që targat ilegale të konvertohen në targa RKS.
Por pavarësisht thirrjeve disa mujore, numër i vogël i serbëve pranuan që t’i ndërrojnë ato.
Madje edhe ata që i ri-regjistruan automjetet iu dogjën veturat e lokalet e ndryshme në veri.
Drejtori i Policisë në Mitrovicën e Veriut, Nenad Gjuriq u shkarkua nga kjo pozitë pikërisht për shkak të sabotimit të punës në kuadër të targave.
Pas kësaj, rreth 600 zyrtarë policorë nga nacionaliteti serb dhanë dorëheqje.
Pas kësaj, Lista Serbe po ashtu njoftoi për dorëheqje nga institucionet e Kosovës, e bashkë me ta dorëheqje dhanë edhe prokurorë, gjyqtarë, zyrtarë të KQZ-së e nga Dogana e Kosovës.
Gjatë gjithë këtyre zhvillimeve, nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës u bë thirrje që Kosova dhe Serbia të gjitha çështjet t’i zgjidhin përmes dialogut.
Ndryshe të hënën në Bruksel, kryeministri Kurti u takua me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq nën ndërmjetësimin e BE-së, por pavarësisht takimit 8 orësh marrëveshje në mes palëve nuk pati.
Pas disa orëve, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier kërkoi nga Kurti që të shtyhet vendimi për shqiptimin e gjobave ndaj serbëve për 48 orë.
Më 22 nëntor parashihej që Policia e Kosovës të nis shqiptimin e gjobave prej 150 euro, për serbët të cilët nuk i kanë konvertuar këto para.
Ndërsa sot në Bruksel ka udhëtuar zv/kryeministrori Besnik Bislimi, i cili pritet që bashkë me përfaqësuesin e Serbisë në dialog, Petar Petkoviq të diskutojnë në lidhje me këtë situatë të krijuar në lidhje me targat.
Në anën tjetër serbët janë duke vazhduar protestën, në kundërshtim të vendimeve të Kurtit, i cili vazhdimisht bëri thirrje që ata të kthehen në institucionet e Kosovës.