Si njohjet e tjera të pavarësisë së Kosovës, edhe ajo nga Sudani nxiti kundërshtime nga liderë të Serbisë. Por, këtë herë argumenti i Serbisë nuk përfshinte vetëm pretendim se po shkelej Rezoluta 1244. Atëherë, pse u kontestua vlefshmëria e kësaj njohjeje?
Më 12 prill, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi se Sudani u bë shteti i 119-të që e njohu pavarësinë e Kosovës.
Vetëm rreth 24 orë më vonë, Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë e vuri në pikëpyetje legjitimitetin e “pushtetit aktual” në Sudan për të marrë vendime të tilla.
Çfarë po ndodh në Sudan?
Në dy vjetët e fundit, Sudani është përballur me atë që Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) e quan krizën më të madhe të urisë në botë. Dhjetëra mijëra njerëz jane vrarë dhe mbi 13 milionë janë detyruar të zhvendosen nga shtëpitë e tyre.
E gjitha kjo është shkaktuar nga lufta për pushtet mes shefit ushtarak, Abdel Fattah al-Burhan, dhe ish-zëvendësit të tij, Mohamed Hamdan Dagalo, që tani udhëheq Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF).
Presidentja Osmani siguroi njohjen e pavarësisë gjatë takimit me ministrin e Jashtëm të Sudanit, Ali Yousif Ahmed Al Sharif, i cili është pjesë e qeverisë së udhëhequr nga Al-Burhani.
Që prej atëherë, kundështarët e tyre, RSF-ja e udhëhequr nga Dagalo, ka njoftuar se është duke formuar një qeveri të sajën për Sudanin, me të cilën do të udhëheqë në rajonet që kontrollohen prej saj.
Dagalo – i cili është i sanksionuar nga SHBA-ja për akuza se forcat e tij kanë kryer gjenocid në Darfur të Sudanit – tha më 16 prill se ai dhe aleatët e tij po krijojnë “një këshill presidencial me 15 anëtarë” që përfaqëson të gjitha rajonet e Sudanit.
Ky vendim nuk është mirëpritur nga OKB-ja, që menjëherë doli me reagim se prioritet duhet të jetë ruajtja e unitetit dhe sovranitetit të Sudanit dhe se krijimi i një qeverie paralele nuk ndihmon drejt zgjidhjes së problemit.
Përpjekja e RSF-së për të krijuar qeveri paralele është kundërshtuar edhe nga shumë shtete, përfshirë SHBA-në.
Serbia ka aluduar në këtë situatë politike në Sudan kur vuri në pikëpyetje legjitimitetin e njohjes së pavarësisë së Kosovës.
Megjithatë, edhe pas fillimit të luftës më 15 prill të vitit 2023 në Sudan, kabineti i liderit “de facto” të Sudanit, Al-Burhanit, ka vazhduar të luajë rolin e tij të zakonshëm.
Vetë ministri i Jashtëm, Al Sharif, i cili konfirmua njohjen e pavarësisë nga Sudani në takimin me Osmanin, gjatë këtij viti ka mbajtur takim edhe me ministrin e Jashtëm të Rusisë, Sergey Lavrovin.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, gjatë këtij takimi ishte diskutuar për “mënyra për forcimin e bashkëpunimit mes Rusisë dhe Sudanit në fusha të ndryshme”.