Kosova i ka ndarë rrugët me trajnerin e ekipit kombëtar, Bernard Challandes, pas formës dhe rezultateve tejet të dobëta në vazhdimësi, shkruan Gazeta ‘Enigma’.
Federata e Futbollit e Kosovës njoftoi të martën në një konferencë për media se ka gjetur pajtim me Bernard Challandes për shkëputjen e parakohshme të marrëveshjes.
Trajneri zviceran kishte marrëveshje me Kosovën deri në dhjetor 2022, por epokës së tij në krye të kombëtares dardane i erdhi fundi një vit më herët, pas një fushate tejet dëshpëruese në kualifikime për Kupën e Botës 2022.
”Jam i zhgënjyer me këtë vendim. Isha i lumtur këtu. Isha shumë i lumtur në këtë punë, por jam i lumtur me punën që e kemi bërë. Jam i pikëlluar, sepse ka qenë ndjenjë e mirë të punoj me futbollistët dhe gjithë stafin. Faleminderit të gjithëve”, ka thënë Challandes në konferencën e lamtumirës.
Challandes ishte trajneri i dytë në historinë e ekipit kombëtar të Kosovës, pas Albert Bunjakit, që prej pranimit të Kosovës në UEFA dhe FIFA më 2016.
/Gazeta Enigma/