Chelsea mposhtë Aston Villën, merr fitoren e parë pas dy barazimeve

Chelsea mposhtë Aston Villën, merr fitoren e parë pas dy barazimeve

Chelsea e ka mposhtur 3:1 Aston Villën me përmbysje të rezultatit të dielën, duke e arritur fitoren e parë pas dy barazimeve radhazi, për të mbetur në garë për titull në Premierligë.

Jorginho i shënoi dy gola nga penalltia, por Romelu Lukaku e ndryshoi rrjedhën e takimit në Villa Park, pasi u fut në lojë si zëvendësues në pjesën e dytë për të shënuar një herë dhe për ta fituar një penallti, pasi Reece James i kishte dhënë epërsinë befasuese Villës duke shënuar në portën e vet.

Chelsea, i cili kishte barazuar dy herë dhe kishte humbur një herë në katër ndeshjet e kaluara, tani mbledh 41 pikë në vendin e tretë në tabelë, gjashtë më pak se lideri Manchester City.

Liverpooli, ndeshja e të cilit me Leeds United e paraparë për sot u shty shkaku i koronavirusit, është i dyti me 41 në një garë trifrontëshe për titull në Premierligë.

Villa ndërkohë, mbetet në vendin e 10-të me 22 pikë.

Aston Villa, e cila ishte pa trajnerin Steven Gerrard i cili është infektuar me koronavirus, e gjeti veten befas në epërsi në minutën e 28-të, kur Reece James shënoi me kokë në portën e vet në përpjekje për ta larguar topin nga zona e tij.

Por vetëm gjashtë minuta më vonë, Jorginho e barazoi rezultatin në 1:1 për Chelsean duke shënuar nga penalltia, pasi Callum Hudson-Odoi u ndalë me faull nga Cash në zonën e Villës.

Lukaku, i futur në lojë në vend të Trevoh Chalobah në pushimin mes pjesëve, pati ndikim të madh në rrjedhën e lojës në pjesën e dytë.

Sulmuesi belg, i cili nuk kishte shënuar gol në Premierligë që prej shtatorit kur kishte realizuar dy herë pikërisht kundër Villës, e kaloi Chelsean në epërsi për herë të parë në takim kur shënoi gol të bukur me kokë në minutën e 56-të, pas një harkimi nga Hudson-Odoi.

28-vjeçari tregoi superioritetin e tij fizik ndaj lojtarëve vendas, kur vrapo me topin në këmbë pothuajse tërë fushën, pavarësisht përpjekjeve nga Cash për ta ndalur me faull me çdo kusht, para se Konsa ta rrëzonte përfundimisht në zonë.

Jorginho e mposhti përsëri portierin Robert Martinezin nga pika e bardhë për pikët e plota të skuadrës së Thomas Tuchel.

Related Articles