Christian Eriksen nuk do të lejohet të luajë në Itali këtë sezon si rezultat i sulmit në zemër që e pësoi gjatë Kampionatit Evropian, thotë klubi i tij, Inter.
Mesfushori danez humbi ndjenjat në fushë gjatë ndeshjes së Kampionatit Evropian kundër Finlandës, teksa stafi mjekësor arriti ta rikthente në jetë. Atij më pas iu vendos një pajisje në zemër.
Por, Interi do ta lërë të lirë Eriksenin, pasi ai nuk mund të luajë për ta, shkruan BBC.
“Lojtari është ndaluar përkohësisht nga autoriteti mjekësor italian nga aktiviteti sportiv në sezonin aktual”, shkroi Interi në një deklaratë të enjten.
“Megjithëse kushtet aktuale të lojtarit nuk plotësojnë kërkesat e arritjes së fitnesit sportiv në Itali, e njëjta gjë mund të arrihet në vende të tjera ku lojtari mund të rifillojë aktivitetin konkurrues”.
Është e paqartë nëse vendet e tjera do ta lejonin Eriksen të marrë pjesë në ligat e tyre përkatëse me pajisjen ICD.
Eriksen kaloi gjashtë sezone e gjysmë me Tottenhamin, duke luajtur në humbjen e tyre në finalen e Ligës së Kampionëve ndaj Liverpoolit në vitin 2019, përpara se t’i bashkohej Interit në një transferim prej 16.9 milionë funte në janar 2020.
/Gazeta Eniga/