Ish-ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku, ka reaguar pas deklaratës së zëdhënësit të Qeverisë Kurti se Marrëveshja e Washingtonit nuk ka vlerë juridike dhe si e tillë s’mund të futet në planet e Qeverisë.
Çitaku thotë se zotimet e bëra në Washington nuk janë hajgare dhe lojë fëmijësh.
“Për të satën herë: Marrëveshja e Washingtonit, apo zotimet e Washingtonit, apo si të doni quani, nuk janë hajgare e lojë fëmijësh”, ka shkruar Çitaku.
Ajo thotë se me aleatët e në veçanti SHBA-të, nuk komunikohet përmes deklaratave dhe rrjeteve sociale.
“Me aleatët, e posaçërisht me SHBA-të, një qeveri serioze nuk komunikon përmes deklaratave dhe postimeve në rrjetet sociale. Qeveria e Kosovës nëse ka ndonjë dilemë apo pakënaqësi, atë duhet ta adresojë përmes kanaleve diplomatike”, ka shtuar Çitaku.
Derisa ka kujtuar se në rast se Qeveria Kurti kanë pasur pakënaqësi, kanë mundur t’ia thonë Matthew Palmer-it gjatë kohës sa ky i fundit ishte në Prishtinë.
“Para pak ditësh ishte në Kosovë i deleguari i Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor. Jam e bindur se në takimet të cilat janë zhvilluar ka pasur mundësi që të trajtohen këto shqetësime.
Pastaj, se Administrata e Presidentit Biden qëndron fuqishëm pas marrëveshjes së 4 Shtatorit e ka bërë të ditur publikisht Sekretari i Shtetit Blinken.
Me shumë dashamirësi,
Vlora”, ka përfunduar Çitaku.