Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku ka folur për takimin e saj me ish-agjenti i FBI-së, Charles McGonigal.
Ajo u shpreh se me McGonigal është takuar në zyrat e FBI, ku ka qenë zyrtarisht e ftuar si ambasadore.
“Unë kam qenë e ftuar në FBI zyrtarisht si ambasadore që t’ju drejtohen kadetëve dhe oficerëve të rinj të FBI, ky ka qenë një nder i madh që më është bërë mua dhe që i është bërë Kosovës dhe komunikimi im me FBI dhe me zyrtarin në fjalë ka qenë në zyrë dhe në ShBA”, tha aajo.
Çitaku është shprehur se nuk e di se me kë është takuar ai në Kosovë, mirëpo u shpreh se flitet që e ka takuar një politikan.
“Ndërkohë që unë nuk e di kë e ka takuar në Kosovë kur ka qenë, flitet se e ka takuar një politikan, nuk e di kush është ai politikan, por e di që nuk ka qenë as kryeministri, as presidenti, as ish-presidentja, është takuar me një figurë politike këtu në Kosovë dhe ky është ai takimi i cili është përmendur në aktakuzë dhe nuk është raportuar në FBI, sepse saherë që një zyrtar i FBI takohet me përfaqësues të një qeverie tjetër, të një shteti tjetër, e ka për detyrë që ta njoftoi byron, ta njoftoi institucionin ku punon dhe ta tregojë për çfarë është biseduar”, u shpreh tutje ajo.