Çitaku: PDK ka shënuar një moment rilindjeje dhe rikthimi

Çitaku: PDK ka shënuar një moment rilindjeje dhe rikthimi

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, po e vlerëson rikthim dhe rilindje të këtij subjekti, rezultatin e zgjedhjeve lokale të 17 tetorit në mbarë vendin.

Çitaku tha se ndjehet krenare me fushatën që realizuan kandidatët që u kanë ofruar si opsion qytetarëve, duke përmendur me theks të veçantë angazhimin e Uran Ismailit për komunën e Prishtinës, fushatë për të cilën pohon se pati efekt edhe në shumë komuna të tjera.

”Ne kemi pranuar këtë rezultat me shumë përulësi, pa arrogancë dhe pa vetëkënaqësi. Besojmë që PDK ka shënuar një moment rikthimi, falë para së gjithash kandidaturave kompetente që ne u kemi vënë qytetarëve të Kosovës si opsion në këto zgjedhje”, ka thënë ajo.

”PDK nuk e ka nënvlerësuar, nuk e ka nënçmuar qytetarin e Kosovës. Jemi munduar që të përzgjedhim kandidatët më të mirë, dhe jemi munduar që garën t’ua lëmë atyre. Kjo ka qenë garë për zgjedhje lokale, kjo ka qenë platforma e kandidatëve tanë” ka theksuar ajo në Rubikon, përcjellë Gazeta “Enigma”.

”Ne si kryesi e PDK-së jemi munduar që të jemi të pranishëm, por jo në qendër të vëmendjes. Kjo nuk është strategji, por kështu duhet të jetë, sepse unë nuk do të jem kryetare as e Mitrovicës, as e Ferizajit, as e Skënderajit dhe as e Prizrenit. Do të jenë kandidatët tanë, dhe atyre duhet dhënë besimi, ata do të qeverisin me komunat. Ne jemi munduar t’i mbështesim me aq sa kemi mundur, mirëpo përfundimisht skenën, platformën, ua kemi lënë atyre, dhe shumica prej tyre kanë bërë një punë të shkëlqyer”.

”Këtu dua të flas posaçërisht për Uran Ismailin, kanë bërë një punë të jashtëzakonshme, pavarësisht se nuk kanë pasur rezultatin që ne kemi pritë. Kanë bërë një fushatë të jashtëzakonshme, Urani i ka dhënë shumë ngjyrë, shumë shpresë, ka hapë shumë dimenzione të reja, ka thy shumë paragjykime, bëri një fushatë shumë pozitive. Është rezultati më i mirë në nivelin lokal që ka shënuar PDK dhe jo vetëm kaq. Unë isha në terren anë e kënd Kosovës dhe fushata që ka prodhuar Urani nëpër Prishtinë, ka prodhuar efekt pozitiv në terë Kosovën. Unë kudo që kam shku më kanë thënë ‘’Hajde ma gjallë, ma gjallë!’’, pra ka dhënë një frymë të re, pa asnjë ngarkesë, pa asnjë paragjykim, pa urrejtje është mundu ta japë ofertën më të mirë për Prishtinën, Uranit i kanë shkëlqy sytë, ai Prishtinën e don pa kushte”.

”Dhe unë jam shumë krenare me punën e shkëlqyeshme që ka bërë ai, sigurisht që kemi pasë edhe kandidatë tjerë që kanë bërë punë shumë të mirë. Megjithatë PDK ka shënuar një moment rilindjeje dhe rikthimi”, ka përfunduar ajo. /Gazeta “Enigma”/

Related Articles