Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka njoftuar lidhur me takimin me kryemiistrin Albin Kurti, raporton Gazeta “Enigma”.
Ai tha se në këtë takim shprehu shqetësimin lidhur me gjendjen në veri dhe ofroi mbështetjen për shtrirjen e ligjshmërisë në gjithë territorin e vendit dhe punën e policisë
Postimi i plotë në Facebook:
Të dashur qytetetarë,
Pas propozimit tonë të djeshëm dhe ftesës së Kryeministrit, sot në mëngjes, së bashku me Kryetarin e PDK-së z. Krasniqi, u takuam me Kryeministrin Kurti.
Në takim, shpreha shqetësimet tona për gjendjen e krijuar në Veri. Dhashë mbështetje për shtrirjen e ligjshmërisë në vend dhe për punën e Policisë tonë atje. Në kohë si këto, uniteti ynë është esencial.
Njëkohësisht kërkova qartësime shtesë për rrugën tonë përpara, qartësime që duhet të na vijnë sa më parë. Kosova nuk e ka luksin të durojë tensionet në territorin e vet.
Kryeministrit Kurti i kërkova poashtu koordinim të plotë me aleatët tanë; në veçanti me SHBA-të dhe BE-në. Është përgjegjësi e detyrim i tij dhe Qeverisë që koordinimi të bëhet menjëherë.