Çka tha gjyqtari i Speciales kur e rrëzoi mocionin e mbrojtjes së Thaçit dhe të tjerëve?

Çka tha gjyqtari i Speciales kur e rrëzoi mocionin e mbrojtjes së Thaçit dhe të tjerëve?


Trupi gjykues i Themelores së Dhomave të Specializuara ka hedhur poshtë mocionin e përbashkët të ekipeve mbrojtëse për të rrëzuar pjesë të caktuara të aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, në rastin “Thaçi dhe të tjerët”, raporton Gazeta Enigma.

E teksa e arsyetoi vendimin e tyre kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, tha se heqja e periudhës para fundit të majit 1998 dhe pas 20 qershorit 1999 do ta fragmentonte rastin. Smith tha po ashtu se rregullat gjyqësore parashohin kundërshtim të pikave të aktakuzës si të tilla e jo kundërshtim të pikave të veçanta, siç ka bërë mbrojtja. 

“As Ligji e as Rregullorja nuk përmendin nocionin e pikave, por përdorin nocionin e akuzave, megjithëse ZPS-ja e ka përdorur shprehjen ‘pika’ në tekstin e aktakuzës. Trupi gjykues vëren më tej se Rregulli 130 i lejon mbrojtjes që të kërkojë që trupi gjykues të urdhërojë rrëzimin e çdo, disa ose të gjitha akuzave në aktakuzë, ku përmbushet pragu përkatës. Sa i takon thelbit të kundërshtimit të mbrojtjes, trupi gjykues vëren se incidentet dhe akuzat e lidhura me kohën që kundërshtohet prej mbrojtjes nuk janë akuza brenda kuptimit të rregullit 130. Në fakt ato janë fakte materiale që kanë të bëjnë me akuzat dhe pikat në aktakuzë. Ajo që kundërshton mbrojtja, për rrjedhojë, nuk është akuzë, por është pjesë e një akuze në formën e fakteve materiale të caktuara që përbëjnë akuzat apo pikat në aktakuzë”, ka thënë Smith.

“Trupi gjykues nuk ka nevojë të shkojë në themelësinë e argumenteve të mbrojtjes sa i përket fillimit dhe përfundimit të konfliktit të armatosur jo-ndërkombëtar. Çështja e shtrirjes kohore të konfliktit të armatosur që ka të bëjë me këtë çështje gjyqësore do të trajtohet në fund të gjykimit kur do të vendoset për themelësinë e çështjes”, ka thënë ai.

 Seanca pritet të vazhdojë me dëgjimin e dëshmitarëve të Mbrojtësit të Viktimave.

Related Articles