Ish-kryetari i Qendrës Koordinuese serbe për Kosovë, Nebojsha Çoviq, ka thënë për televizionin serb RTS se vizita e Albin Kurtit në Tetovë “ishte e paligjshme” dhe se “autoritetet e Maqedonisë së Veriut duhet të ndëshkojnë ashpër përgjegjësit për organizimin e kësaj vizite”.
Çoviq ka pretenduar se “kjo vizitë është e paligjshme” dhe se “ai ka përvojë me këto vizita jozyrtare edhe në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë”.
“Ato vizitat e tyre jozyrtare janë përcjellë me provokime të mëdha në kuptimin e diçkaje që ata po përpiqen të krijojnë në mënyrë të përhershme, që është ‘Shqipëria e madhe’. Megjithatë, këtu lind një problem tjetër shtesë – kush qëndron pas projektit të ‘ Shqipërisë së madhe”, ka pretenduar Nebojsha Çoviq, i cili ishte akuzuar nga shteti i vet për keqpërdorime të mëdha të fondeve të Serbisë të dedikuar për serbët e Kosovës, transmeton Paparaci.
Ai gjithashtu ka pretenduar se disa vende të KUINT-it “e tolerojnë sjelljen e Kurtit dhe provokimet e tij të përditshme, si dhe se autoritetet e Maqedonisë së Veriut duhet të ndëshkojnë ashpër përgjegjësit për organizimin e vizitës së Kurtit në Tetovë”.
Duke folur për aktakuzën kundër Millorad Dodikut, Çoviq ka thënë se “kjo është në përputhje me sulmet dhe presionin e madh që ushtrohet ndaj Serbisë”.
“Sulmet ndaj Republikës Serbe dhe Dodikut janë për faktin se RS “nuk lejon ndryshime në Marrëveshjen e Dejtonit” dhe një nga garantuesit për Marrëveshjen e Dejtonit është Republika e Serbisë. Është shumë e rëndësishme që Marrëveshja e Dejtonit të zbatohet ashtu siç është miratuar. Është e rëndësishme për “mbrojtjen e serbëve” në territorin e Bosnjë-Hercegovinës, gjegjësisht në territorin e një pjese të RS-së”, ka pretenduar Çoviq.