Ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiq, ka deklaruar sot se “çështja e Kosovës është çështje e interesit më të lartë kombëtar dhe shtetëror për Serbinë”, duke theksuar se “serbët e Kosovës jetojnë në gjendje të përhershme të rrezikut”.
Ai ka përsëritur se Serbia as në mënyrë eksplicite e as implicite nuk do ta njohë pavarësinë e “shpallur të njëanshme” të Kosovës.
Duke folur në pritjen e Vitit të Ri serb për diplomatët në Ministrinë e Jashtme në Beograd, Daçiq ka thënë se situata në Kosovë është “jashtëzakonisht e vështirë dhe komplekse”.
“Çështja e Kosovës është për ne një çështje e rëndësisë më të lartë kombëtare dhe shtetërore. Për fat të keq, situata në “krahinën tonë jugore” është jashtëzakonisht e vështirë dhe komplekse, serbët e Kosovës jetojnë në një gjendje të përhershme rreziku, tensioni dhe pasigurie të privuar nga të drejtat elementare të njeriut dhe në frikë të vazhdueshme për jetën e tyre”, ka përsëritur Daçiq, propagandën e vjetër të ish-idolit të tij, kriminelit Sllobodan Millosheviq.
“Do ta përsëris edhe një herë – ne nuk do ta njohim pavarësinë e shpallur “në mënyrë të njëanshme” të Kosovës as në mënyrë eksplicite e as implicite, as nuk do të lejojmë që “krahina jonë jugore” të bëhet anëtare e OKB-së. Serbia ka të njëjtën të drejtë si çdo vend tjetër në botë që të mbrojë sovranitetin dhe integritetin e saj territorial”, ka pretenduar ai.