Kosova sërish nikoqire e ‘Defender Europe’

Kosova sërish nikoqire e ‘Defender Europe’

Kosova do të jetë sërish nikoqire e stërvitjes më të madhe ndërkombëtare në Rajonin e Ballkanit ‘Defender Europe 2025‘.

Kjo është konfirmuar tashmë nga Ministria e Mbrojtjes, të cilët kanë bërë me dije se janë përmbushur edhe të gjitha objektivat e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Defender Europe 2023.

Sipas tyre, aktiviteti i vetëm që është anuluar ka qenë dita kur para vizitorëve të shkuar do të bëhej ekzekutimi praktik i ushtrimit si rikapitullim i të gjitha aktiviteteve që ishin realizuar gjatë gjithë ditëve të ushtrimit.

Kujtojmë se Kosova ishte nikoqire edhe e stërvitjeve  “Defender Europe ‘23” që nisën më 21 maj në Kosovë dhe ishin paraparë të zgjasnin deri më 2 qershor.

Ani pse Kosova ishte një nga vendet nikoqire të kësaj stërvitjeje dhe kishte bërë përgatitje gati dy vjet, ajo nuk mundi ta çonte deri në fund aktivitetin, pasi, më 30 maj, ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, tha se ‘për Kosovën, ato stërvitje kanë marrë fund’.

Ky ishte ndëshkimi i parë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndërmorën kundër Kosovës për, siç u tha, injorimin e këshillave të tyre për të shmangur rritjen e tensioneve në zonën veriore me shumicë serbe, ku banorët lokalë protestuan kundër kryetarëve shqiptarë të komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

Related Articles