Daçiq pretendon se transportimin e Hajrizit nëpër Serbi e organizoi një person nga Sllovenia

Daçiq pretendon se transportimin e Hajrizit nëpër Serbi e organizoi një person nga Sllovenia


Ministri i brendshëm serb, Ivica Daçiq ka përsëritur edhe njëherë se sipas tij vrasja e policit serb në Lloznicë dhe plagosja e një tjetri, nga i dyshuari Faton Hajrizi, i cili më pas është vrarë nga policia serbe është “akt terrorist dhe i organizuar”.

Tutje ai ka thënë se pas arratisjes së Faton Hajrizit nga burgu në Kosovë, nuk është lëshuar fletë arrest për të.

Ministri serb, po ashtu ka theksuar se vëllai i Fatonit, Ariani është ai që ia ka dërguar dokumentet e tij personale, dhe se deklarata e tij se Fatoni ka qenë në Gjermani dhe ia ka vjedhur dokumentet është gënjeshtër, transmeton Gazeta Enigma.

“Ne nuk bashkëpunojmë me Policinë e Kosovës sepse nuk e njohim Kosovën si shtet të pavarur. Bashkëpunimin policor e zbatojmë nëpërmes të EULEX-it. Çfarë ka ndodhur atje, kur është arratisur? Ata nuk janë përgjigjur përse nuk është lëshuar fletë arresti”, ka thënë Daçiqi për median serbe në shërbim të regjimit aktual, “Kurir”.

“Tani ministrja e tyre i drejtësisë po thotë se ne po organizojmë arratisjen e të burgosurve nga Kosova, kjo është marrëzi. Nuk e dimë si ka ardhur në Preshevë, me siguri në mënyrë ilegale. Nuk është në evidencë, është në xhirime në Preshevë dhe Bujanoc. Ai mund të shihet duke u përgatitur për të hyrë në veturë. Policia ka hyrë në skemën e asaj që ndodhi. A e kishte sjellë logjistika e tij në Bujanoc dhe Preshevë, ai ka kërkuar mënyra për t’u transportuar më tutje. Ai nuk erdhi me ndonjë çantë udhëtimi, por me një revole dhe dy karikatorë. Ai po bëhej gati të kryej vepër penale. Kur sulmohen institucione si policia, kjo është akt terrorist. Cili ishte qëllimi i tij, ai donte të vriste më shumë policë, ndoshta do të vriste edhe civilë”, ka thënë ministri i brendshëm serb.

“Rekonstruksioni i ngjarjes është i tillë që ai ka ardhur në Preshevë, ka kërkuar një mënyrë për të shkuar në Bosnjë dhe Hercegovinë, në këtë kuptim është një person kyç, për të cilin nuk e dimë se si ka rënë në kontakt, ka qenë organizator dhe ky është një person nga Sllovenia. Një çift bashkëshortësh nga Sllovenia është angazhuar për të gjetur dikë që ta transportonte dhe e gjetën këtë burrë nga Tutini. Vetura nuk është taksi, ai mesa duket është marrë me transportin e migrantëve dhe e ka transportuar në Lloznicë. Informacione të mëtejshme janë se ata kishin për detyrë që me një barkë ta transferonin përtej Drinës, dhe më tutje. Ne kapëm dhe arrestuam të gjithë personat që ishin në këtë zinxhir. E vetmja gjë është se ne ende nuk kemi të dhëna operative nga Sllovenia”, ka pretenduar Daçiqi. /Gazeta Enigma

Related Articles