Dalin detaje të reja për vrasjen e argjentinases në Kosovë

Dalin detaje të reja për vrasjen e argjentinases në Kosovë

Mediat zvicerane po raportojnë intensivisht për rastin tragjik në Fushë Kosovë, ku një 27 vjeçare dyshohet se u vra nga një kosovar, të cilit Gjykata dje ia caktoi masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, duke e përmendur dyshimin e bazuar se ai e kishte hedhur nga kati i gjashtë i një hoteli argjentinasen.

Gazeta e njohur zvicerane “20 Minuten’ raporton se i dyshuari dhe viktima ishin në lidhje që katër muaj dhe kishin udhëtuar drejt Kosovës me rastin e martesës së vëllait të 32-vjeçarit.

Ndërkohë sipas LeCanton27.ch, kosovari pas një debati e ka shtyrë argjentinasen nga dritarja në katin e gjashtë të hotelit.

E mediumi zviceran “Blick” shkruan se Departamenti Federal i Punëve të Jashtme (EDA) konfirmoi arrestimin e shtetasit zviceran.

“Sipas autoriteteve, nuk kishte informacione të mëtejshme për rrethanat dhe motivin as në Kosovë. Instituti i Mjekësisë Ligjore ka bërë këqyrjen e trupit të viktimës. Policia dhe prokuroria vijojnë hetimet. (SDA/zis)”, shkroi “Blick”.

Sipas Blick pas rastit tragjik, familja ka anuluar dasmën.

Detaje nga rasti

Sipas Policisë, viktima dyshohet se ka rënë nga një lartësi e një ndërtese ku po qëndronte së bashku me një person i cili është shtetas i Zvicrës. Por, në njoftimin e Gjykatës thuhet se i dyshuari e ka hedhur nga dritarja e dhomës së hotelit, viktimën 27-vjeçare, raporton Gazeta Sinjali.

Për shkak të një mosmarrëveshje, kosovari E.N., nga komuna e Drenasit me shtetësi të Zvicrës po dyshohet se e ka hedhur nga dritarja e dhomës së hotelit të katit të gjashtë në Fushë Kosovë shtetasen argjentinase M.K.U.

Këto detaje i ka dhënë Gjykata Themelore e Prishtinës në njoftimin lidhur me masën e paraburgimit prej 1 muaji ndaj të dyshuarit, në drejtim të veprës penale “vrasje”.

“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri E.N  me datë 01.08.2023 rreth orës 01:59 minuta në rrugën “ Nënë Terezë” në  Fushë Kosovë,  pas një mosmarrveshje paraprake me të dëmtuarën – tani të ndjerën M.K.U, të njëjtën e privoj nga jeta duke e hudhur nga dritarja e dhomës së hotelit, nga kati gjashtë, me ç’rast e ndjera kishte pësuar lëndime trupore, e që edhe përkundër trajtimit mjekësor  e njëjta  kishte  ndërruar jetë  në  Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ( QKUK)”, njofton gjykata.

“Ekzistojnë rrethana të cilat tregojnë rrezikun e ikjes së të pandehurit, pasi që i njëjti është shtetas i Zvicrës dhe nëse i pandehuri gjendet në liri i njëjti do të mund të ik me qëllim të fshehjes dhe ikjes nga përgjegjësia penale dhe do të ishte i paarritshëm për organet e ndjekjes, e në këtë mënyrë do të pengohej rrjedha e procedurës penale,  andaj konstatoi së masa e paraburgimit në këtë fazë të procedurës penale është e vetmja masë për rrjedhjen e pa penguar të procedurës penale në këtë çështje juridiko – penale”.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës  Themelore në Prishtinë.

Related Articles