“Emocionet janë të mëdha, po të isha ende lojtarë në këtë ndeshje do ta jepja më shumë 100 përqindëshin, çka nuk dyshoj se do ta bëjnë edhe lojtarët aktual të kombëtares”.
Kështu ka thënë për Albanian Post, ish lojtari i Kombëtares së Shqipërisë, Debatik Curri, kur është pyetur për ndeshjen vendimtare kundër Polonisë, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror “Katari 2022”, që do të zhvillohet këtë martë në stadiumin “Air Albania” në Tiranë në ora 8:45.
Ish qendërmbrojtësi kuq e zi kërkon me ngulëm fitore e Shqipërisë, pasi sipas tij, për ta mbajtur ëndrrën gjallë duhet patjetër të fitojmë ndaj Polonisë”.
“Është ndeshja më rëndësishme në histori të kombëtares shqiptare, me një fitore eventuale rritën gjasat për kualifikim”, tha Curri.
“Mendoj se me disa vertikalizime si ndeshjet e kaluara mund ta “mbysim” ndeshjen, pasi kemi lojtarë shumë të shpejtë, siç është shembull Broja në fazën ofensive”.
Ai i sheh si përparësi të Shqipërisë, përkrahjen e tifozëve, por edhe kundërsulmet e shpejta.
Megjithatë sipas Currit, “mungesë shumë e madhe për kombëtaren tonë është mungesa e mbrojtësit Berat Gjymëshiti, por besoj që do të zëvendësohet në mënyrën më të mirë”.
Edhe ish-bashkëlojtari i Currit të Shqipëria, kosovari tjetër Armend Dallku, e pret një fitore të Shqipërisë, por për këtë sqaron se duhet shumë angazhim.
Ai thekson se “për mua është emocion i veçantë pasi për disa vite vetë kam qenë pjesë e kombëtares kuq e zi”.
“Normal që presim fitoren e Kombëtares së Shqipërisë, si në çdo ndeshje”, potencon Dallku për Albanian Post.
“Kjo fitore është e domosdoshme për ta mbajtur ëndrrën gjallë për t’u kualifikuar për herë të parë në Kampionat Botërorë”
Por, Dallku nënvizon se djelmoshat e Edi Rejës, duhet të jenë shumë të kujdesshëm në fazën defensive, pasi ai e sheh Poloninë si skuadër shumë cilësore.
“Duhet të kemi kujdes nga kombëtarja e Polonisë pasi ata kanë një ekip shumë cilësor, por nëse lojtarët tanë janë në element, besoj që do ta fitojmë këtë ndeshje ndaj Polonisë”.
Shqipëria do të presë Poloninë në stadiumin “Air Albania”, teksa renditet përkatësisht në vendin e dytë të Grupit I, me një pikë më shumë se miqtë.
Vendi i dytë në grupe e dërgon skuadrën në fazën e play-off, së bashku me vendet e dyta më të mira në grupet e tjera kualifikuese në Evropë.
Nëse Shqipëria fiton ndaj Polonisë, diferenca shkon në plus katër pikë, ndërsa i mbeten edhe dy ndeshje për të luajtur. Përballjet e fundit i ka me Anglinë dhe Andorrën./Gazeta Enigma.