Ministri i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, tha se Ligji për Zhvillim Rajonal tashmë është gati dhe do të dalë për diskutim publik.
Ai po shpreson që të marrë edhe mbështetjen e deputetëve të Kuvendit.
Damka madje thotë se në këtë ligj do të përcaktohet Programi kombëtar i zhvillimit të vendit dhe do të vendoset se a do të jenë pesë apo shtatë ndarje të regjioneve.
“Ligji tani është gati që të del në opinion, deri tani është punuar mjaftë në këtë ligj dhe besojmë se shumë shpejtë do të marrim edhe opinionin e më gjerë dhe sugjerimet prej jashtë dhe deri të shkoj në Kuvend, dhe ku shpresoj që edhe atje do të kemi një kontribut dhe të kemi një ligj, i cili do jetë baza e punës sonë”.
“Në ligj kemi parë disa sfida e të cilat mendojmë se do jetë në dobi të Kosovës, ku kemi planifikuar që të ketë një program kombëtar të zhvillimit të Kosovës i cili do të hartohet për pesë vite me diskutimet dhe elaborimet e mëtutjeshme. Besoj që ky ligj do të përcaktoj edhe punën e agjencionit të zhvillimit rajonal i cili edhe ekziston në Kosovë, ku do të përcaktoj pesë apo shtatë regjione”.
Mes tjerash ministri thotë se nga viti i ardhshëm do të ketë rritje buxhetit ku do të fillohet me një sërë projektesh.
“Ne si ministri që nga fillimi kemi disa programe ku kemi zhvilluar dhe kemi ndihmuar që të kemi një balancim nëpër komuna. Deri tani kemi pasur një buxhet më të ulët sa i përket pandemisë, por që nga viti i ardhshëm kemi rritje të buxhetit dhe sidomos për investimet kapitale nëpër komuna. Besojmë se do shikojëm mundësitë që të kemi bashkëpunim më të afërt me komunat dhe të shohim se cilat janë ato investimet apo projektet që do mund të ndikonim në zhvillimin rajonal”.
Tutje, ai tha se Strategjia për Zhvillim Rajonal 2021-2030 është bazë e zhvillimin që do të shoqërohet edhe me një plan operacion për të pasur zhvillim rajonal të barabartë.
“Qeveria dhe ministria jonë e ka aprovuar këtë strategji që është prej 2021-2030, kjo strategji është dokument bazë për të cilën do të ndjeken programet për të pasur një rajon zhvillimor në Kosovë. Do të shohim resurset tona kulturore, ekonomike dhe të kemi një regjion të balancuar sepse në Kosovë i kemi pesë regjionet e ndara dhe secili nga ta i ka specifikat e veta e që në bazë tyre duhet të bëjmë strategji për zhvillim të barabartë”.
“Nga kjo strategji del që të hartojmë ligjin për zhvillimin rajonal, të hartohet plani kombëtar për zhvillimin e Kosovës, plani operacional. Krejt këto janë brenda pakos bazë të dokumentacionit strategjik dhe pastaj do vazhdojmë të punojmë për një regjion të zhvilluar ndërkufitar”.
Ministri foli edhe për planet e së ardhmes duke shpresuar që të aplikonë në fondet IPA me disa projekte.
“Tash nga viti 2025-2026 është aplikimi për fondet IPA, besojmë se jemi gati të konkurrojmë me disa projekte, kemi një synim që pas finalizimit të ligjit të kemi një çasje nacionale për të siguruar fonde shtesë që ndërlidhen jashtë kufijve tonë”.
“Me ministritë e tjera e kemi një bashkëpunim të mirë dhe ku do fillojmë me një projekt që do jetë i udhëhequr prej Qeverisë dhe bashkëpunim me disa ministri, projekt për zhvillimin e turizmit malor. Do caktohen 100 fshatra për të zhvilluar fshatrat turistike malore dhe ato kulturore, ku do kemi një zhvilim rural jo vetëm urban. Shpresojmë që ky bashkëpunim shpejtë do të ndodh dhe një fillim i mbarë”.
Damka tha se edhe komuna e Mamushës është njëjtë sikurse komunat e tjera.
“Komuna e Mamushës është njëjtë, një nga 38 komunat e Kosovës dhe është e barabartë me secilën komunë dhe ka pasur përkrahje jo vetëm se është nga komuniteti jonë, por se është komunë e Kosovës”. /Gazeta “Enigma“/