I dyshuari kryesor për vrasjen e 18 vjeçares Marigona Osmani, Dardan Krivaqa është bërë i gjallë në llogarinë e tij personale në Instagram.
Gjatë ditës së djeshme është publikuar një video në llogarinë personale të Dardan Krivaqës, të dyshuarit kryesor për vrasjen e 18 vjeçares Marigona Osmani, muajin e kaluar në Ferizaj.
Video është publikuar në rubrikën e storieve, ku ka qëndruar për 24 orë dhe në të shihet Krivaqa duke ecur në rrugë.
Në lidhje me këtë video, Gazeta Insajderi ka kontaktuar avokatin e Dardan Krivaqës, Admir Salihu, i cili ka thënë se nuk ka autorizim të deklarohet për klientin e tij, por që arsyeja e vazhdimit të paraburgimit edhe për dy muaj është pikërisht dërgimi për ekzaminim të telefonit të tij.Lojtës Videosh00:1700:23
“Nuk kam autorizim me fol për Dardan Krivaqën. Jam duke e mbrojtur ex officio dhe klientit iu është vazhduar paraburgimi edhe për dy muaj. Telefonat janë dërguar në ekzaminim dhe kjo ka qenë arsyeja e vazhdimit të paraburgimit” – tha ai për Gazetën Insajderi, duke cituar vendimin e vazhdimit të paraburgimit.
Dardan Krivaqa dyshohet se vrau në rrethana misterioze vajzën 18 vjeçare nga Ferizaj.
Ai kishte precedentë të shumtë penal ndërsa dosja e tij është publikuar nga gjykata ku thuhet se ka pasur të paktën 10 procese gjyqësore.
Dardan Krivaqa kishte qëndruar për dy ditë në arrati, derisa ishte kapur nga Policia e Kosovës në afërsi të fshatit Sojevë të Ferizajt.