Kombëtarja e Kosovës e ka zhvilluar stërvitjen e dytë dhe të fundit në “Fadil Vokrri”, para udhëtimit në Batumi, ku të enjten do të përballet me Gjeorgjinë, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror “Katari 2022”.
Për dallim nga seanca e parë stërvitore, ku intensiteti ishte më i ulët dhe një pjesë e lojtarëve stërvitën të diferencuar nga pjesa tjetër për shkak të angazhimeve në ndeshjet e fundjavës, në seancën e sotme ekipi u stërvit i kompletuar dhe u punua me intensitet të lartë, teksa ekipit iu bashkua edhe mbrojtësi i FC Ballkanit, Armend Thaçi.
Gjatë kësaj stërvitje përzgjedhësi Challandes u përqendrua në skemat e lojës, të cilat Dardanët pritet t’i shpalosin në ndeshjen ndaj gjeorgjianëve, e ku synohet fitorja në mënyrë që të rikthehet vetëbesimi në ekip për dy ndeshjet e tjera ndaj kundërshtarëve shumë të fortë.
Atmosfera në kampin e Dardanëve është shumë e mirë dhe të gjithë janë optimistë se do t’u kthehen paraqitjeve të mira dhe rezultateve pozitive. E optimizmin për ndeshjen me Gjeorgjinë e shprehën pas stërvitjeve edhe Valon Berisha e Mirlind Kryeziu.