DASH-i kërkon progres në themelimin e Asociacionit

DASH-i kërkon progres në themelimin e Asociacionit

Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH), Ned Price, ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të përmbushin zotimet e arritura në kuadër të procesit të dialogut, përfshirë këtu edhe themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Price këtë e ka deklaruar për mediumin amerikan ‘The Pavlovic Today’, i pyetur për pritshmëritë e sekretarit amerikan të Sshtetit ndaj kryeministrit Albin Kurtit dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiq. Ai ka thënë se SHBA inkurajon fuqishëm serbët që të kthehen nëpër institucionet e Kosovës, përcjell Demokracia.com.

“Si Kosova, ashtu edhe Serbia në këtë rast, duhet të zbatojnë marrëveshjet që tashmë i kanë nënshkruar përmes procesit të dialogut. Kjo përfshin edhe arritjen e progresit në themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”, ka deklaruar zëdhënësi i DASH-it.

I njëjti ka ritheksuar angazhimin serioz të SHBA-së në dialogun Kosovë-Serbi, teksa përmendi vizitën e fundit të emisarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në Prishtinë e Beograd, bashkë me katër emisarët tjerë evropianë.

“Dialogu i udhëhequr nga BE-ja ka potencialin të jetë një mjet efektiv për të ulur tensionet dhe për të zgjidhur konfliktet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë ai.

Related Articles