Departamenti Amerikan i Shtetit, në fund të muajit të kaluar ka publikuar raportet mbi Liritë Fetare nëpër vende të ndryshme të botës.
Ndër to është edhe Kosova.
Në raportin për Kosovën është përfshirë edhe sulmi në Banjskë ndaj Policisë së Kosovës nga grupi i armatosur serb, organizimin e të cilit e kishte marrë përsipër më vonë politikani serb nga Kosova, Millan Radoiçiq, i cili nga institucionet e Kosovës më pas u deklarua terrorist.
DASh-i thotë se autoritetet në Serbi patën arrestuar Radoiçiqin më 3 tetor, ndërsa e patën liruar më 4 tetor, “në pritje të hetimeve”.
“Më 24 shtator, një grup i organizuar, i armatosur dhe i trajnuar i serbëve etnikë sulmoi Policinë e Kosovës në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit, duke vrarë një rreshter policie dhe duke plagosur dy oficerë të tjerë. Më pas, grupi hyri me forcë në kompleksin aty pranë të Manastirit të Banjskës dhe luftoi me policinë për disa orë, duke përfshirë edhe nga prona e manastirit, ndërsa abati i Kishës Ortodokse Serbe (KOS) dhe afërsisht 40 pelegrinë nga Serbia u izoluan në manastir derisa grupi u largua. Policia tha se tre sulmues u vranë gjatë përleshjes”.
“Pas luftimeve, policia dhe personeli i Forcave të NATO-s në Kosovë dhe Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX) hynë në manastir dhe gjetën personelin e KOS-it dhe pelegrinët atje të padëmtuar. Sipas KOS-it, manastiri pësoi dëmtime të vogla në portat dhe derën e konakut, e cila ishte jashtë ndërtesës kryesore të manastirit”.
“Në një konferencë shtypi të 29 shtatorit dhe duke folur në emër të zëvendëspresidentit të Listës Serbe të sanksionuar nga ShBA, Millan Radoiçiq, avokati i Radoiçiqit tha se klienti i tij ishte përgjegjës për organizimin, udhëheqjen dhe pjesëmarrjen në sulmin në Banjskë. Avokati i Radoiçiqit njoftoi gjithashtu dorëheqjen e Radoiçiqit si nënkryetar i Listës Serbe. Autoritetet serbe e arrestuan Radoiçiqin më 3 tetor dhe e liruan më 4 tetor, në pritje të hetimeve të mëtejshme, të cilat vazhduan deri në fund të vitit”, thuhet në raportin e DASh-it për Liritë Fetare.
Më tej theksohet se si Kisha ortodokse serbe dënoi sulmin ndaj policisë së Kosovës dhe u ankua për deklaratat publike të zyrtarëve qeveritarë të Kosovës, figurave publike dhe mediave “që pretendonin se KOS ishte bashkëfajtor në sulm”.
“Për shembull, Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla u tha mediave në shtator se kishte ‘indikacione se kishte përfshirje të drejtpërdrejtë’ të stafit të manastirit në aksion”.
“Më 25 shtator, KOS-i tha se ‘as EULEX-i dhe as policia nuk gjetën asgjë që mund të komprometonte manastirin’ dhe tha se ‘armët e zjarrit, parzmoret dhe pjesët e pajisjeve’ të zbuluara pas sulmit ‘u hodhën nga personat e armatosur pasi u tërhoq nga manastiri”.
“Policia më vete raportoi se një sasi e madhe armësh dhe automjetesh u gjet ‘në dhe përreth manastirit’, duke përfshirë raketahedhës, predha mortajash, granata, eksplozivë dhe armë të vogla. Në tetor, përkundër mohimit të KOS-it, ministri Sveçla tha për mediat se nuk do të habitej nëse manastiri do të luante një rol në sulm, sepse ‘Kisha Ortodokse Serbe gjithmonë ka luajtur një rol shkatërrues ndaj paqes në rajon dhe ka qenë pjesë e politikës hegjemoniste të Serbisë’”.
DASh-i tha se deri në fund të vitit, hetimi i qeverisë për incidentin vazhdoi.
Po ashtu, në raport përmendet edhe letra e ministrit Hajrulla Çeku drejtuar KOS-it, ku ofronte riparimin e dëmeve në Manastirin e Banjskës.
“Letra përmendte detyrimin kushtetues të qeverisë për të mbrojtur dhe promovuar trashëgiminë kulturore fetare pa diskriminim. Në përgjigje, KOS tha se ‘nuk është në gjendje të pranojë ndërhyrjen e institucioneve të Kosovës në jetën e kishës sonë dhe supozimin për mbrojtje të Manastirit të Banjskës’”.
“KOS tha se oferta e qeverisë ishte një ‘akt politik’, që synonte të vendoste ‘trashëgiminë fetare dhe kulturore…nën kontrollin politik të institucioneve të Kosovës’ dhe gjithashtu ‘të degradonte liritë dhe të drejtat tona themelore fetare dhe përvetësimin kulturor të kishave dhe manastireve tona’. KOS tha se do ta riparonte manastirin (i cili kishte pësuar pak dëmtime) me burimet e veta”.
“Në tetor, në përgjigje të raporteve të mediave se riparimet e pavarura të KOS-it të manastirit shkelnin ligjin (sepse ato nuk ishin të autorizuara nga Instituti qeveritar për Mbrojtjen e Monumenteve), KOS tha se ‘plani i Ahtisaarit (i cili ofroi bazën për Kosovën pavarësinë dhe rregulloi krijimin e kornizës ligjore të Kosovës) thekson se KOS duhet të ketë ‘diskrecionin e plotë të menaxhimit, rindërtimit dhe qasjes në objektet e saj’”.
Raporti, që përfshin ngjarjet e ndodhura gjatë vitit 2023, përmend edhe rastet e raportuara ku është penguar ushtrimi i të drejtave të lirive fetare në Kosovë.
Po ashtu, përmend edhe deklaratat refuzuese të krerëve të shtetit gjatë vitit të kaluar mbi pronësinë e rreth 26 hektarëve tokë për Manastirin e Deçanit.
“Në mars, qeveria i paraqiti legjislaturës kombëtare propozime për amendamentet e ligjit për lirinë fetare që do të lejonte grupet fetare të fitonin statusin ligjor; Kuvendi (legjislativi kombëtar) nuk ndërmori asnjë veprim për to gjatë vitit. Në maj, policia përsëri pengoi klerikët nga Kisha Ortodokse Serbe (KOS) të kryenin një shërbim në kishën e kontestuar Krishti Shpëtimtar në Prishtinë. Disa shkolla vazhduan t’u mohojnë aksesin vajzave myslimane të veshura me hixhabe, duke përmendur rregulloret e qeverisë. Zyrtarët komunalë dhe të qeverisë qendrore përsëri dështuan në zbatimin e vendimeve të mëparshme të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës Supreme që i njihnin Manastirit të Deçanit të KOS-it pronësinë e tokës afër manastirit. Në maj, presidentja Vjosa Osmani tha se zbatimi i vendimeve të mëparshme të gjykatave në lidhje me pronën e kontestuar të manastirit ‘mund të krijojë një precedent jashtëzakonisht të rrezikshëm’. Në tetor, qeveria deportoi një anëtar të klerit të KOS-it në Maqedoninë e Veriut për shkelje të paspecifikuara të Ligjit për të Huajt. KOS tha se deportimi ishte një ‘dëbim brutal, arbitrar dhe jashtëgjyqësor’. Në korrik, kryeministri Albin Kurti postoi në rrjetet sociale se Serbia po përdorte ambulancat për të ‘kontrabanduar armët në kishat ortodokse në Kosovë’. KOS tha se deklaratat e Kurtit ‘nxitën hapur intolerancën etnike dhe fetare’”, u tha mes tjerash në raportin e DASh-it mbi liritë fetare në Kosovë, raporton Klankosova.tv.
Tutje, përmendet edhe rasti i muajit shkurt të vitit 2023 kur “katër persona penguan një imam të kryente ritet fetare në xhaminë në Halabak në komunën e Podujevës dhe sulmuan një person nga xhemati”.
“Në prill, një grup personash të paidentifikuar sulmuan imamin e fshatit Miradi e Epërme në Fushë Kosovë pas lutjeve të përditshme. Përfaqësuesit e komunitetit hebre vunë re një rritje të konsiderueshme të gjuhës antisemitike në mediat sociale pas sulmit të Hamasit në Izrael në tetor, por kreu i komunitetit tha se ‘lajmet e rreme’ ishin ndonjëherë shkaku. KOS deklaroi se disa nga incidentet që synonin pronën e saj, duke përfshirë një gjatë festave të Pashkëve Ortodokse, ishin të motivuara fetarisht dhe etnikisht. KOS tha se policia dështoi ose nuk ishte e gatshme të vepronte për vepra penale ‘me sfond fetar ose nacionalist’. Përfaqësuesit e policisë thanë se të gjitha rastet që kanë të bëjnë me trashëgiminë kulturore apo fetare i trajtojnë me prioritet dhe në përputhje me ligjet në fuqi”.
Raporti përmend edhe angazhimin e Ambasadorit të ShBA-së, Jeff Hovenier, dhe zyrtarëve të tjerë të ambasadës për të avokuar me zyrtarët qeveritarë për miratimin e amendamenteve në ligjin për lirinë fetare që do të lejonte grupet fetare të fitonin status ligjor.
“Ata gjithashtu u kërkuan zyrtarëve qeveritarë të respektojnë lirinë dhe pluralizmin fetar dhe të rrisin komunikimin dhe bashkëpunimin me grupet fetare. Ambasadori, një zyrtar i lartë vizitor i Departamentit të Shtetit dhe zyrtarë të ambasadës u takuan me zyrtarë qeveritarë për t’i nxitur ata që të zbatojnë vendimet Kushtetuese dhe të Gjykatës Supreme që urdhërojnë regjistrimin e pronësisë së tokës në Manastirin e Deçanit. Zyrtarët e ambasadës i kërkuan gjithashtu qeverisë që të mbajë teqenë e kërcënuar bektashiane (vendin e adhurimit sufi) në Prizren si një vend të mbrojtur historik. Ambasada lëshonte shpesh mesazhe në shtyp dhe në mediat sociale në mbështetje të lirisë fetare”, u potencua në këtë raport.