Ish-selektori i Shqipërisë, Gianni de Biasi, është i vetëdijshëm që kuqezinjtë janë në grup shumë të vështirë në Kampionatin Evropian “Gjermania 2024”. Por tekniku italian shpreson që Shqipëria të paraqitet mirë dhe në fund të bëjë befasi të madhe.
Shorti i tërhequr të shtunën e kaluar ka përcaktuar që Shqipëria të jetë në grup me Spanjën, Kroacinë dhe Italinë. Të tri këto përfaqësuese janë superfuqi të futbollit dhe me sukseset të mëdha në dekadën e fundit.
Ndërkohë Shqipëria luan vetëm për herë të dytë në Kampionat Evropian. Ka debutuar në “Euro 2016”, pikërisht nën urdhrat e De Biasit. 67-vjeçari çmohet nga shqiptarët për faktin se siguroi paraqitjen e parë të kuqezinjve në një ngjarje të madhe futbolli.
Në “Euro 2016”, Shqipëria kishte pësuar dy humbje para se ta fitonte ndeshjen e tretë. Ishte mposhtur 1:0 nga Zvicra dhe 2:0 nga Franca. Ndërkohë e kishte mposhtur 1:0 Rumaninë.
Grupi tani vlerësohet shumë më fortë.
“Mendoj se shorti është shumë i vështirë dhe grupi është shumë i fortë për Shqipërinë. Shqipëria ka ekip cilësor por mendoj se është e pamundur të krahasohet me Spanjën, Kroacinë dhe Italinë”, ka thënë De Biasi të martën për KOHËN. Ai ka përmendur një anë pozitive të Shqipërisë për Evropianin në Gjermani.
“Megjithatë në kohën kur mbahet Evropiani, në qershor dhe korrik të vitit të ardhshëm, ndoshta Shqipëria mund të jetë më e freskët se ekipet e tjetra për shkak se vetëm Kristijan Asllani ka gjasa të luajë gjatë në Ligën e Kampionëve me skuadrën e Interit. Të tjerat përfaqësuese kanë më shumë lojtarë, siç është Spanja që në radhët e veta ka shumë futbollistë të Barcelonës dhe Realit të cilët do të kenë ngarkesa dhe do të shpenzojnë shumë energji deri në fund të edicionit. Nuk është aspak grup i lehtë për Shqipërinë, por duke pasur parasysh lodhjen dhe ngarkesat e lojtarëve të përfaqësueseve tjera me klubet e tyre, mendoj dhe shpresoj që Shqipëria do te jetë befasia e madhe e këtij grupi”, ka shtuar De Biasi.
Dy të parët në grup avancojnë në fazën nokaut të Evropianit e po ashtu katër prej gjashtë përfaqësueseve më të mira të vendit të tretë.
Nën drejtimin e Sylvinhos, Shqipëria kishte kualifikime dukshëm më të mira se ato për Euro 2016 me De Biasin. Shqipëria fitoi grupin me Çekinë dhe Poloninë. Në kualifikimet për Euro 2016, Shqipëria kishte përfunduar prapa Portugalisë. Ishte më lartë se Danimarka, Serbia dhe Armenia.
De Biasi ka drejtuar Shqipërinë nga viti 2011 e deri në vitin 2017. Pas largimit nga Shqipëria kishte një periudhë të shkurtër në krye të Alavesit. Ndërkohë ka drejtuar Azerbajxhanin nga viti 2020 e deri pak javë më parë. Por me Azerbajxhanin nuk kishte ndonjë sukses.
Te Shqipëria aktualisht janë shumë të kënaqur me brazilianin Sylvinho. Madje vazhdimi i kontratës është shumë i mundshëm, nëse Sylvinho ka gatishmëri.
Vakant është posti i selektorit të Kosovës. Pas largimit të francezit Alain Giresse, selektor i përkohshëm ishte slloveni Primozh Gliha. Kontrata e tij ishte e vlefshme deri në fund të kualifikimeve për Euro 2024, që për Kosovën ishin të pasuksesshme.
De Biasi është njëri prej emrave të përmendur si kandidatë për të marr drejtimin e Kosovës. Ai është i gatshëm ta udhëheqë Kosovën, ndërsa vlerëson potencialin e “Dardanëve”. Por deri më tani nuk është kontaktuar.
Sipas De Biasit, Kosova e ka potencialin për t’u kualifikuar në ngjarjet e mëdha të futbollit.
“Deri në këtë moment nuk kam marrë asnjë thirrje nga Agim Ademi apo dikush tjetër në Federatë. Kryesisht vetëm gazetarët kanë shkruar për situatën time. Por, nuk jam kontaktuar ende nga askush. Do te isha i lumtur nëse Kosova me fton sepse mendoj se ka lojtarë të mirë dhe besoj se është e mundur të bëjmë diçka siç kemi bërë me Shqipërinë”, ka thënë De Biasi.
Kosova në mars i luan ndeshjet e ardhshme. Me ndeshje garuese vazhdon në vjeshtën e vitit të ardhshëm.