Deputeti shqiptar i Parlamentit Suedez, Adnan Dibrani ka udhëtuar drejt Malit të Zi si pjesë e misionit vëzhgues të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës pas ditës së zgjedhjeve presidenciale në Mal të Zi.
Dibrani nuk e kishte idenë se do ta gjente veten në një situatë që do ta kthente në një hero. Siç raporton gazeta malaziase “Pobjeda”, Adnan Dibrani ka ndihmuar në shpëtimin e foshnjës nga lumi Moraça.
Siç raportohet, Adnani e shtrydhi ujin nga mushkëritë e foshnjës dhe praktikisht e “ringjalli”, falë guximit dhe njohurive që ka si prind i tre fëmijëve të mitur.
Në një intervistë për këtë medium, ai ka thënë se nuk e besonte se do t’ia dilte ta shpëtonte foshnjën.
“Po kaloja urën dhe shikova drejt ujit kur pashë një grua dhe një fëmijë që notonin në lumë. Disa djem të tjerë erdhën, zbritën në lumë dhe nxorrën foshnjën nga uji, ndërsa të tjerë thirrën një ambulancë. Vrapova drejt tyre dhe pashë që po mbanin në krahë foshnjën, e cila nuk jepte asnjë shenjë jete. Meqenëse kam një fëmijë të vogël në shtëpi, dija çfarë të bëja në situata të tilla” – ka thënë ai.
Më tej, Dibrani ka treguar se si e ka menaxhuar situatën deri në shpëtimin e foshnjës.
“E mora foshnjën prej tyre dhe u përpoqa të bëj atë që di, sa më mirë që mundem, ia shtrëngova foshnjën mbi bark dhe shpinë, ia shtrydha ujin nga mushkëritë. Kur e dëgjova të qarën e tij, sepse më vonë mora vesh se ishte djalë, nxitova në urgjencë dhe ua dorëzova foshnjën.” – ka thënq Adnani.
Ai ka rrëfyer te ketë menduar për një moment se ishte tepër vonë, sepse foshnja tashmë ishte në ujë për disa minuta.
“Nuk doja ta besoja se ishte e vërtetë…thjesht shpresoja që fëmija të fillonte të merrte frymë. Dhe kur e dëgjova britmën e tij, më dha energji shtesë për t’ia dalë mbanë ta shpëtoj” – ka thënë deputeti Dibrani.