Delegacioni i Kuvendit merr pjesë në punimet e sesionit vjeshtor të APKE-së

Delegacioni i Kuvendit merr pjesë në punimet e sesionit vjeshtor të  APKE-së

Delegacioni i Kuvendit të Republikës së Kosovës, në përbërje nga Saranda Bogujevci, kryesuese e delegacionit njëherësh nënkryetare e Kuvendit, si dhe deputetët Arben Gashi dhe Enis Kervan, anëtarë, të shoqëruar nga ambasadorja Mimoza Ahmetaj, mori pjesë në punimet e Sesionit vjeshtor të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për vitin 2021, i cili u mbajt nga 27-30 shtator në Strasburg të Francës.



Një nga temat që zuri vend në diskutimet e këtij sesioni ishte “Ballkani Perëndimor midis sfidave demokratike dhe aspiratave evropiane dhe roli i Këshillit të Evropës”.

Krahas pjesëmarrjes në punimet e sesionit parlamentar, delegacioni i Kosovës mori pjesë edhe në trupat punues të këtij institucioni, si në: Komitetin për Politikë dhe Demokraci, Komitetin për Çështje Ligjore dhe Drejta të Njeriut, Komitetin për Migracion, Refugjatë dhe Persona të Zhvendosur, si dhe në Komitetin për Kulturë, Shkencë, Edukim dhe Media.

Po ashtu anëtarët e delegacionit të Kuvendit të Kosovës në APKE, morën pjesë edhe në takimet e grupeve politike të përfaqësuara në Asamble.

Drejtuesja e delegacionit, Saranda Bogujevci, në fjalën e saj në takimin e Komitetit per Çështje Politike dhe Demokraci, u ndal te zhvillimi i demokracisë në vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Në vendin tim, për shembull, ne kemi një demokraci vibrante, ku shoqëria ka lëvizur drejt ndryshimeve esenciale dhe pret e uritur t’i shohë ato të jetësohen. Përpjekje shoqërore dhe të institucioneve i shohim në Shqipëri. Ngjashëm, me ulje ngritjet e natyrshme për shoqëritë si tonat i shohim dhe në Mal të Zi dhe Maqedoninë e veriut ku, patjetër unë si shqiptare pres që dhe më shumë, madje ashtu siç duhet, të respektohen dhe përmbushen të drejtat e shqiptarëve aty”, theksoi Bogujevci.

Por, siç tha ajo, situata nuk është e njëjtë në lidhje me Serbinë për fat të keq dhe faktet, sipas saj, janë të njohura për mbarë botën, duke filluar nga mohimi i genocidit, deri te mohimi i të drejtave të shqiptarëve veçanërisht, por jo më pak edhe të boshnjakëve.

Bogujevci tha se Kosova është duke punuar për ta kapërcyer nivelin në të cilin gjendet aktualisht dhe se në këtë rrugëtim ka nevojë për miq dhe mbështetje.

Ndërsa, deputeti Enis Kervan, gjatë takimeve të Grupit Politik ALDE, duke folur mbi gjendjen aktuale në lidhje me targat, tha se Qeveria dhe Policia e Kosovës po zbaton masat reciproke në raport me Serbinë.

Gjatë një diskutimi mbi përfaqësimin e grave në parlament, Kervan shtoi se Kosova mund të merret si model në rastin e vendeve më të vogla në fjalë.

“Ne përfaqësohemi nga gjashtë anëtarë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Në delegacion janë tri deputete gra dhe tre deputetë burra. Kreu i delegacionit tonë, i cili është nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, është gjithashtu një grua”, theksoi Kervan.

Related Articles