Deliu e quan të frikshme deklaratën e Prindon Sadriut ndaj gazetarëve: “Presidentja po hesht”

Deliu e quan të frikshme deklaratën e Prindon Sadriut ndaj gazetarëve: “Presidentja po hesht”

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu e ka quajtur ‘të frikshme’ deklaratën e bashkëshortit të presidentes, Prindon Sadriut lidhur me gazetarët, raporton Gazeta “Enigma”.

“Zonja Osmani po hesht edhe karshi deklaratës së frikshme të bashkëshortit të saj, i cili paturpësisht median e quajti si ndërmarrje të përbashkët kriminale. Pra, Prindon Sadriut duket se nuk i ka mjaftuar jetësimi i dëshirës për krijimin e një aktakuze monstruoze me dokumente të sponsorizuara e të fabrikuara nga Serbia e Rusia të cilat e portretizojnë UÇK-në si ndërmarrje të përbashkët kriminale. Tani, Z. Sadriu me gjuhën e zyrtarëve serbë, në mënyrë skandaloze e të papranueshme për një Zotëri të parë dhe diplomat, i cilëson mediat si ndërmarrje e përbashkët kriminale”, tha Deliu.

Sadriu i ka quajtur gazetarët e Kosovës një “ndërmarrje e përbashkët kriminale”, pasi në media është raportuar se Vjosa Osmani sa kishte qenë deputete kishte shpenzuar për udhëtime në vitet 2012, 2013, 2014 edhe përkundër faktit se në një status të saj publik kishte konfirmuar se në Prishtinë jeton që nga viti 2012.

Këtë reagim e ka kundërshtuar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, të cilët gjuhën e Sadriut e kanë quajtur denigruese. /Gazeta Enigma.

Related Articles