Deliu-Kodra për deklaratat e Kurtit për energjinë: Sot jam skuqur nga Qeveria

Deliu-Kodra për deklaratat e Kurtit për energjinë: Sot jam skuqur nga Qeveria

Deputetja e Partisë Demokratike e Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, i ka komentuar deklaratat e kryeministrit, Albin Kurti, i cili këtë të hënë në seancën e Kuvendit ka thënë se rryma ka qenë aq e lirë, sa që shumë qytetarë nuk e kanë ditur se sa po paguajnë.

Deliu-Kodra e ka pyetur Kurtin se a e ka ditur këtë në vitin 2019, kur kishte premtuar se me të në pushtet, çmimi i rrymës do të ulej.

“Tash po e pyes Z. kryeministër se a e ka ditur këtë në vitin 2019 kur në fushatën zgjedhore deklarohej se çmimi i rrymës është i shtrenjtë e premtonte se kur të vijë në pushtet do ta ulte çmimin e energjisë elektrike”, tha ajo.

Deliu ka thënë se është skuqur nga deklaratat e Kurtit.

“A turpërohet pak Albin Kurti nga këto deklarata të cilat mua si deputete e disa legjislaturave më bëjnë të skuqem… A ka ma ofendim? Për besë unë sot jam skuqur nga Qeveria”, tha ajo.

Deliu e ftoi Kurtin që t’i shoh qytetarët, të cilët, sipas saj, janë tronditur nga deklaratat e kryeministrit.

“Dil kryeministër këqyri njerëzit të cilët janë të tronditur nga deklarimet që i ke bërë sot në Kuvend”, tha ajo./Gazeta Enigma/

Related Articles