Pas ankesave të shteteve fqinje për masat e reja, reagon Ministri Latifi

Pas ankesave të shteteve fqinje për masat e reja, reagon Ministri Latifi

Pas ankesave, thirrjeve, e protestave të përfaqësuesve dhe qytetarëve të shteteve fqinje lidhur me kërkesën e Qeverisë së Kosovës, për ta pasur dozën e tretë të vaksinës për të hyrë në Kosovë, ka reaguar Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, raporton Gazeta “Enigma”.



Latifi ka sqaruar se në Kosovë mund të hyjnë lehtësisht qytetarët qe kanë dy doza të vaksinës Anti-COVID por që gjithsesi nevojitet edhe testi PCR-negativ.

“Ajo masa e parë që ju e përmendët është lehtë të largohet sepse kurrë nuk ka qenë. Ne kurrë nuk kemi kërkuar me i pas tri vaksina për të hyrë në Kosovë, nëse ne i lexojmë masat me kujdes që janë të shënuara thotë se ju mund të hyni në shtetin e Kosovës nëse keni tri vaksina, keni dy vaksina – duhet testi, ajo e treta është me iu treguar gjithë qytetarëve se mund të kalosh pa problem. Ajo është masë e hequr dhe nuk ekziston… Kjo është bërë punë e madhe por ne kurrë nuk kemi kërkuar që me qenë e domosdoshme që ju me i pas tri vaksina për të hyrë në Kosovë”, u shpreh ai.

Këto sqarime, Latifi i bëri gjatë vizitës që zhvilloi në komunën e Gjakovës.

Latifi u shpreh po ashtu se përkundër rritjes së madhe të rasteve pozitive me COVID-19 që Kosova po shënon ditëve të fundit, gjendja pandemike në vend është më e mira në rajon.

Ministri i Shëndetësisë apeloi tek qytetarët për vaksinim dhe kujdes me qëllim që të parandalohet përhapja e COVID-19, por edhe shtimi i të spitalizuarve nëpër klinikat dhe spitalet e Kosovës.

Sipas tij sistemi shëndetësor i Kosovës nuk mund të përballojë shtim të pacientëve të infektuar. / Gazeta Enigma.

Related Articles