Vandalizmi i hapësirave publike është çështje shqetësuese që po vazhdon të ndodh në të gjitha pjesët e Kosovës.
Organizata YARL, përmes një komunikate për media e ka përmendur rastin e fundit, ku është dëmtuar këndi i lodrave për fëmijë me aftësi të kufizuara në lagjen “Ulpiana”, Prishtinë.
“Vandalizmi i hapësirave publike është çështje shqetësuese që po vazhdon të ndodh në të gjitha pjesët e Kosovës. Rasti i fundit – dëmtimi i këndit të lodrave për fëmijë me aftësi të kufizuara në lagjen “Ulpiana”, Prishtinë – hapësirë kjo e jetësuar nga organizata YARL në bashkëpunim me OSCE Misioni në Kosove dhe Drejtorine e Hapësirave Publike dhe Parqeve të Komunës së Prishtinës. Hapësira publike urbane duhet kujdesur për diversitetin dhe duhet ndihmuar në artikulimin dhe integrimin e tjetrit/es në mënyrë që të marrë kuptimin e vërtetë. Në përpjekje për të përmbushur këto objektiva është zhvilluar raporti hulumtues e pastaj implementimi i këndit të lodrave për fëmijë me aftësi të kufizuara. E tërë kjo u bo në bashkëpunim me komunitetin e lagjes, ekspertë të fushës, profesionistë e studentë, institucione dhe organizata relevante. Por, pak kohë më vonë gjendja e këndit të lodrave për fëmijë me aftësi të kufizuara duket si në fotot më poshtë”.
Në komunikatë tutje thuhet se hapësira publike ka rëndësi të veçantë për shoqërinë si në aspektin e aktivitetve fizike ashtu edhe në aspektin e socializimit e atij psikologjik.
“Në veçanti këndet e lodrave janë me rëndësi për zhvillimin e shëndetshëm të fëmijëve dhe përfshirjen apo interaksionin me tjetrin. Dëmtimi hapësirës së përbashkët publike do të ketë efekt negativ si në aspektin fizik ashtu edhe psikologjik duke ndikuar negativisht në ndjenjën e përkatësisë si dhe në përceptimin e hapësirës publike nga komuniteti si hapësirë e rrezikshme dhe e paqëndrueshme. Megjithatë nuk duhet të dekurajohemi, pasi që ekzistojnë hapa që mund të ndërmerren nga institucionet lokale dhe organizatat që i trajtojnë çështjet e hapësirave publike. Insitutucionet duhet të ofrojnë edukim joformal për komunitetin rreth rëndësisë së hapësirës publike dhe këndeve të lojërave dhe pasojat e dëmtimit të tyre, të rritet niveli i sigurisë përmes ndriçmit, kamerave të sigurisë dhe të vihen para përgjegjësisë dëmtuesit/et.”, thuhet tutje.