Dënimi me 7 vite i Shaban Gogajt, reagon avokati i prindërve të Agonis Tetajt

Dënimi me 7 vite i Shaban Gogajt, reagon avokati i prindërve të Agonis Tetajt

Avokati mbrojët i familjes së Agonis Tetajt, Berat Tmava ka reaguar në lidhje me vendimin e Gykatës së Pejës, që e dënon me 7 vjet e gjashtë muaj Shaban Gogaj.



Tmava ka thënë se nuk ka mbetur i befasuar me vendimin e sotëm.

“Sigurisht në cilësinë e përfaqësuesit të palës së dëmtuar familjes Tetaj, të cileve ju vra më i dashuri i tyre Agonisi, nuk kam mbetur i befasuar me këtë vendim. Kjo për faktin se vetë odisejada e shtyerjes së seancave për arsye banale na ka bindur se gjykimi do të vazhdoj vetëm atëherë kur pala e akuzuar është bindur se do të shpallet fajtor vetëm për vrasje nga pakujdesia”- thuhet në reagimin e tij.

Tmava ka thënë se Gjykata me këtë vendim ka krijuar pasiguri juridike tek qytetarët e Kosovës.

“Kjo çka ka ndodhur sot na kujton kohën e gladiatorëve, kur gladiatorët vdisnin në arenë nga kthetrat e luanëve ndërsa të pasurit të cilët qëndronin më lozhë duartrokitnin”- thotë avokati.

Tmava është shprehur se ka dy fjalë për trupin gjykues, duke shtuar se një ditë do ti ndjekë keqëardhja për këtë vendim, ditë kjo që siç ka thënë ai, nuk do të jetë e largët.

“Dy fjalë për Trupin Gjykues, me vendime të tilla nuk mund ta mbuloni anshmërinë e juaj nuk e di se si do të silleshit ju po që se i ndjeri do të ishte anëtar i familjes suaj. Një ditë do të ju ndjekë keqardhja për këtë vendim dhe ajo ditë nuk do të jetë e largët, si dhe do të bindeni se ai vendim nuk ishte vendim i drejtë por vendim i ndikuar.Dostojevski jo më kot ka thënë: Mos u ngutni se në ferr ka vend për të gjithë”- ka theksuar ai.

Gjykata e Pejës në shpalljen e vendimit për vrasjen e Agonis Tetajt, e ka bërë rikualifikimin e veprës penale, nga vrasje e rëndë në vrasje nga pakujdesia.

Gogaj me 5 vjet burgim është dënuar për vrasje nga pakujdesia dhe 3 vjet burgim për armëmbajtje pa leje.

Gjykata të njëjtit i ka shqiptuar dënim unik prej 7 vjet e gjashtë muaj burgim.

Isuf Sadikaj, prokuror në rastin e vrasjes së  Agonis Tetajt, për Kallco.com ka pranuar se do të  paraqesë ankesë në Gjykatë n e Apelit lidhur me vendimin e Gjykatës së Pejës.

“Në  momentin që  do të marrim aktgjykimin e formës së shkruar, brenda afatit ligjor ne do të paraqesim ankesë në Gjykatën e Apelit”- tha prokurori i rastit.

Ai deklaroi se është i pakënaqur me vendimin që shqiptoi Gjykata e Pejës në lidhje me kë të  rast.

Kujtojmë, se ky rast reagime të shumta kishte ngjallur kur prokurori Agron Uka e kishte ri cilësuar akuzën në seancën e fundit gjyqësore, nga vrasja e rëndë në vrasje nga pakujdesia.

Pas shpalljes, gjykata është duke vazhduar me arsyetim të vendimit duke përfshirë tërë rrjedhën e procedurës nga momenti i ngritjes se akuzës.

Pas më shumë se 4 vitesh nga vrasja e Agonis Tetajt, këtij procesi gjyqësor i erdhi fundi.

Agonis Tetaj ishte vrarë në lokalin “Gogaj Ag” në Deçan, ku ai ishte punëtor. Për vrasjen e tij po ngarkohet djali i pronarit të kompanisë, Shaban Gogaj.

Aktakuza për këtë rast ishte ngritur nga Prokuroria e Pejës, përkatësisht prokurorja Sahide Gashi, e cila ishte përjashtuar nga ky rast dhe rasti ishte bartur për përfaqësim në Prokurorinë e Gjilanit.

Rasti mori vëmendjen e opinionit publik kur babai i të ndjerit, Isuf Tetaj, publikoi pamjet e momenteve tragjike ku djali i tij, Agonis Tetaj mbeti i vdekur në lokalin ku po punonte.

Pamjet ishin publikuar nga babai i të ndjerit pas ricilësimit të veprës penale nga “vrasje e rëndë” në “vrasje nga pakujdesia”.

Akuza ishte ricilësuar në seancën e fundit gjyqësore nga prokurori Agron Uka, prokuror i Prokurorisë së Gjilanit.

Për këtë rast pastaj dolën edhe detaje te reja.

Prokurori i këtij rasti Agron Uka si dhe Besnik Berisha, avokati mbrojtës Shaban Gogajt, i akuzuar në këtë rast, u përfshinë në një situatë kontraverse, pasi u dëshmua me fotografi që të dy ishin takuar në një restorant në Gjilan.

Kjo fotografi u publikua në kallxo.com disa ditë pas rikualifkimit të vrasjes nga prokurori Uka.

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit kishte kërkuar gjithashtu edhe që Gjykata e Pejës të mos e shpallë të përfunduar shqyrtimin, por të marrë prova të reja për zbardhjen e rastit.

Në njërën anë kryeprokurori kërkonte të merreshin prova të reja, në anën tjetër gjykimi kishte përfunduar me pranimin e fajësisë nga Shaban Gogaj për akuzën e re të ricilësuar nga prokurori Uka.

Në ditën e shpalljes së vendimit, Gjykata e Pejës në trupin gjykues të kryesuar nga gjykatësja Violeta Husaj-Rugova kishte vendosur të rihapë shqyrtimin, duke revokuar edhe vendimin për pranimin e fajësisë së Gogajt.

Gjykata po ashtu i kishte dhënë afat prokurorisë që të paraqes provat e reja.

Vendimin për rihapje, avokati Berisha e konsideroi të kundërligjshëm duke thënë se kjo do të lë njollë në sistemin e drejtësisë.

Gjykimi pastaj vazhdoi me prokurorin e ri, Isuf Sadiku, i cili ndryshoi aktakuzën duke qëndruar pranë akuzës fillestare asaj për vrasje të rëndë të Agonis Tetajt.

Me rastin e procedimit të dëshmitarëve, gjykata ka marrë një vendim që përjashtoi mbrojtësin Besnik Berisha nga e drejta për mbrojtje e Shaban Gogajt.

Prej momentit kur Berisha u përjashtua nga e drejta e mbrojtjes, gjykimi ishte përshkruar me zvarritje të shumta.

Vetë Gogaj nuk pranonte asnjë avokat tjetër përveç Berishës, e në anën tjetër edhe Oda e Avokatëve të Kosovës nuk pranonte të caktonte avokat tjetër sipas detyrës zyrtare.

Nga OAK ishte marrë vendim për këtë çështje, e avokatët ishin paralajmëruar se kush nuk e respektonte atë vendim do të përgjigjej për shkelje disiplinore.

Reagime të shumta për këtë vendim të OAK pati edhe nga Ministria e Drejtësisë.

Deri te zhbllokimi i procesit erdhi pasi Oda e shfuqizoi vendimin e saj për moscaktim të avokatëve.

Edhe në këtë situatë prapë gjykata nuk po arrinte të siguronte mbrojtjen e Gogajt, pasi avokatët që caktoheshin tërhiqeshin për arsye të ndryshme.

Gjykimi u zhbllokua javën e kaluar kur avokatja Sabrije Abazi pranoi ta mbronte Gogajn edhe pse ky i fundit nuk e pranonte atë.

Aktakuza që e ngarkon Shaban Gogajn

Sipas aktakuzës se prokurorisë, në vitin 2019, në kompaninë “Gogaj AG”, Shaban Gogaj mori një telefonatë nga një person tjetër, e cila në aktakuzë është cilësuar si dëshmitare, nga e cila bisedë më pas shihet se është acaruar.

Tutje, aktakuza sqaron se i ndjeri Agonis Tetaj ishte larguar menjëherë në drejtim të stoqeve përballë tij për gati 5 metra, ndërsa bashkë me të u larguan edhe dy dëshmitarët e rastit A. H. dhe F. Z.

Sipas dosjes së prokurorisë, me të përfunduar bisedën, Shaban Gogaj, nga karrigia e anës së majtë të banakut kaloi në karrigen tjetër e cila gjendej në mes të banakut dhe nga sirtari nxori revolen e tij të tipit “Beretta”, e vendosi karikatorin dhe e mori në shenjë të ndjerin Agonis Tetaj në kokë, duke e vrarë.

Viktima ishte punëtor në lokalin e të akuzuarit.

Related Articles