Prokuroria e Shtetit ka njoftuar se kryeprokurori, Aleksandër Lumezi, ka kërkuar nga kryeprokurori i Pejës, Agim Kurmehaj që të rishyrtojë lëndën e prokurores, Lirije Morina, lidhur me dhunimin e 15-vjeçares në Gjakovë, raporton Gazeta Enigma.
Lumezi i ka kërkuar Kurmehajt që nga të gjeturat të të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme sipas ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
“Prishtinë, 26 tetor 2021 – Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka kërkuar nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Pejë, Agim Kurmehaj, si autoritet kompetent, që të rishqyrtojë lëndën penale PP.nr. 68/12 të prokurores Lirije Morina dhe nga të gjeturat të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme sipas ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, Gjykata e Pejës e dënon me vetëm 8 muaj burg dhunuesin e 15 vjeçares.
Ngjarja për të cilën u shqiptua ky dënim, sipas aktakuzës kishte ndodhur në janar të vitit 2012.
Aktakuza përshkruan se e mitura 15 vjeçare në atë kohë ishte duke dalë nga spitali kur edhe ishte kërcënuar me thikë e më pas ishte marrë nga i akuzuari P.K së bashku me një person të mitur, të cilët më pas e kishin dërguar atë në një shtëpi të pabanuar.
Sipas prokurorisë pasi viktima ishte dërguar në atë shtëpi, i mituri e kishte thirrur në telefon edhe një të mitur tjetër dhe aty gjatë tërë natës të tre e kishin dhunuar 15 vjeçaren.
E mitura kishte arritur të ikë nga ajo shtëpi në mëngjes dhe menjëherë e kishte raportuar rastin në Polici, ndërsa për këto veprime në seancën e datës 12 korrik të këtij viti, i akuzuari P.K e kishte pranuar fajësinë