Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim që gjyqtarët e Departamentit Special (DS) të kësaj gjykate të ngarkohen edhe me lëndë të Departamentit të Krimeve të Rënda (DKR) për shqyrtim dhe vendosje.
Një vendim i tillë është marrë nga kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Albina Shabani-Rama, në kolegjiumin e mbajtur me gjyqtarët e këtyre dy departamenteve, kjo për shkak të ngarkesës me lëndë të gjyqtarëve të DKR-së dhe trajtimin e lëndëve brenda afatit të arsyeshëm.
Këtë e konfirmoi për “Betimi për Drejtësi”, zyrtarja për informim e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.
“Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Albina Shabani Rama, bazuar në Nenin 42 paragrafi 3 i Ligjit për Gjykata 06L/054 dhe kompetencat e kryetarit të gjykatës për rritje të efikasitet dhe trajtim të lëndëve brenda afatit të arsyeshëm, duke marrë parasysh ngarkesën e gjyqtareve të DKR të kësaj gjykate, në kolegjium me gjyqtarët e të dyjave departamenteve është marrë vendim që gjyqtarët e DS të ngarkohen me lëndë të DKR për shqyrtim dhe vendosje”, thuhet në përgjigjen e Gashit.
Po ashtu, Gashi në këtë përgjigje theksoi se përzgjedhja e lëndëve për t’u trajtuar nga gjyqtarët e DS-së është bërë në bazë të rëndësisë së lëndëve dhe specifikave që kanë këto lëndë për t’u gjykuar.
“Duke marrë parasysh se gjyqtarët e DS janë më pak të ngarkuar me lëndë dhe faktin se kanë përvojë dhe janë më të trajnuar për t’i trajtuar këto lëndë”, thuhet tutje në përgjigjen e dhënë për “Betimi për Drejtësi”.
Gjithashtu, në përgjigjen e Gashit është thënë se shpërndarja e lëndëve është bërë në bazë të shortit ndërsa ri-caktimi i këtyre lëndëve tek gjyqtarët është bërë përmes SMIL-it.
Në fund është cekur se lëndët nuk kanë marrë numër të ri dhe gjyqtarët janë ngarkuar vetëm me lëndë të cilat nuk kanë qenë në punë më gjatë se tre muaj.
Ndryshe, “Betimi për Drejtësi” më 18 tetor 2021 kishte dërguar kërkesë për informata në Gjykatën Themelore në Prishtinë, lidhur me rastin “Toka”, me anë të së cilës kishte kërkuar bazën me të cilën kjo lëndë nga DKR ishte deleguar në DS.
Më 21 tetor 2021, “Betimi për Drejtësi” ka raportuar se rasti i njohur si “Toka”, ku ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla dhe 16 të tjerët nga viti 2016 po akuzohen për vepra të ndryshme penale që lidhen me korrupsionin e krimin e organizuar, i është ndarë në punë gjykatësit të Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Arben Hoti.
/Gazeta Enigma/