Deputetet e Kuvendit të Kosovës do të bëjnë sot homazhe te busti i ish-Sekretares Amerikane të Shtetit, Madaleine Albright, e cila vdiq të mërkurën
Lajmin e ka bërë të ditur Drejtoria për Media e Kuvendit të Kosovës.
“Sot, Grupi i Grave Deputete bën homazhe te busti i ish-Sekretares Amerikane të Shtetit, Madaleine Albright. Koha: 10:00”, thuhet në njoftim.
Albright ishte figurë qendrore në administratën e presidentit Bill Clinton. Në mandatin e parë të presidentit Clinton, ajo shërbeu si ambasadore në Kombet e Bashkuara, ndërkaq në mandatin e dytë u emërua sekretarja e 64-të e Shtetit.
Përveç që shtyri përpara ndërhyrjen e aleancës ushtarake të NATO-s në Kosovë, gjatë mandatit të saj si sekretare ajo ka avokuar për zgjerimin e kësaj aleance, ka punuar në reduktimin e përhapjes së armëve bërthamore dhe ka punuar në të drejtat e njeriut dhe demokracinë në mbarë botën.
Për shkak të punës së saj për demokraci dhe të drejtat e njeriut, ajo më 2012 ishte nderuar me Medaljen Presidenciale të Lirisë, që është çmimi më i lartë civil në SHBA.